Ish-i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Frank Wisner, për bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ka thënë se “një raund bisedimesh nuk zgjidh kurrë asgjë”.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se duhet të ketë raunde të mëtejshme.
Sipas tij, çështja e reciprocitetit për dokumentat e identifikimit dhe targat duhet të zgjidhet në mënyrë që palët të përqendrohen tek normalizimi i marrëdhënieve.
Wisner ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur qartë që nuk pajtohen me qëndrimin e Serbisë për çështjen e targave dhe dokumentave të identifikimit.
“Por ne në të vërtetë kërkojmë shumë më tepër se kaq: ne kërkojmë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet një Kosove të pavarur dhe Serbisë. Ky qëndrim është i palëkundur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së”, ka thënë Wisner.
Ai thotë se kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Unë nuk parashikoj që njohja të vijë nesër, por është objektivi përfundimtar, është ajo që duan Shtetet e Bashkuara. Por aty mund të arrish vetëm hap pas hapi”, ka vijuar tutje ai.
Ai ka thënë se angazhimi i të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe vizita e tij këtë javë në dy vendet, është një sinjal i fuqishëm nga ana e Washingtonit se është plotësisht në krah të BE-së për një zgjidhje paqësore.
“Ky qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen në kohën e duhur, është i fuqishëm dhe efektiv dhe nënkupton përkushtimin e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar ai.
Për ambasadorin Wisner, Serbia ka mjaft për të humbur, nëse këmbëngul në qëndrimin e mosnjohjes.
Ndryshe, të enjten e 18 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian(BE).
Që nga orët e mëngjesit e deri në orët e pasdites të së enjtes janë mbajtur takime dypalëshe e tripalëshe në Bruksel, por që nuk është arritur ndonjë marrëveshje në dialogun Kosovë-Serbi.
Për këtë takim, shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, kishte deklaruar se nuk ishte takim normal, por më shumë një takim për t’i zgjidhur tensionet në veri të vendit.
Ndërsa në kuadër të këtij dialogu, emisari amerikan, Gabriel Escobar ka nisur vizitën e tij në Prishtinë të martën, një ditë para homologut evropian, Miroslav Lajçak.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ky i fundit nuk ka pranuar të prononcohet për media pas takimit, ndërsa presidentja Osmani ka thënë se përgjatë takimit me Escobar, ka potencuar se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.