Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nuk është takuar me liderët dhe deputetët e partive opozitare që nga hera e fundit që janë parë në kuvend, ka thumbuar duke thënë se për të njëjtit e ka marrë malli.
Kështu ka thënë ai gjatë konferencës për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, teksa komentoi takimin e opozitarëve me përfaqësuesin e Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Është e vërtetë që nuk e kam takuar opozitën prej se kuvendi ka shkuar në pushim veror dhe nuk besoj që duhet të kthehemi nga pushimet që të takohemi. E pashë dje qe pos meje, edhe Gabriel Escobarin e kishte marrë malli për opzoitën edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Escobarin do ta pyes sot se si ka kaluar me opozitën dhe si e kemi opozitën”.
“Është mirë që edhe opozita e Kosovës t’i dëgjojë drejpërdrejt qëndrimet e ndërmjetësve ndërkombëtarë, atyre evropianë dhe amerikanë në lidhje me dialogun që po zhvillohet”, shtoi ai.
“Do të ketë ftesë për takim me opozitarët gjatë muajit gusht”
“Meqë po i afrohemi sesionit vjeshtor, është mirë që të takohemi për shumë çështje. Mund ta konfirmoj që do të ketë ftesë për takim me liderët opozitarë në një kohë të përshtatshme edhe për ata në muajin gusht”.
Kurti: Ose s’do të ketë dokument hyrje/dalje as në Serbi as në Kosovë ose në të dyja anët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur mbi situatën se çfarë do të ndodhë më një shtator, ka thënë se do të zbatohet njëri nga dy skenarët.
Ai në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se, ose nuk do të ketë dokument hyrje/dalje as në Serbi as në Kosovë, ose do të ketë në të dyja anët.
“Po të mos ketë reciprocitet si frymë të dialogut nuk mund të presësh njohje reciproke. Duke e pasur reciprocieteti frymë të dialogut ne do ta kemi edhe njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, ose nuk do të ketë dokument të tillë fare në asnjërën anë, ose do të ketë në të dyja. Gjithmonë simetri, balancë, barazi, reciprocitet. Jo për inat, mos kërko nga tjetri atë që s’ia dëshiron ose s’ia lejon vetes”, ka thënë Kurti.
Ai ka potencuar se më 31 korrik të këtij viti është bërë një konsesion i madh që vendimi që do të duhej të zbatohej nga një gushti, të fillojë nga një shtatori.
Ai ka theksuar se shtyrja nuk ka ndodhur në mënyrë që shtyrja të bëhet principi.
“Shtyrja nuk është principi, është gjest i vullnetit të mirë karshi brengave të partnerëve ndërkombëtarë se ka pasur një fushatë të madhe të dezinformimit”.