Vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

Të mërkurën, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 94-të ka miratuar 24 vendime

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Kosovës

Të mërkurën e 24 gushtit, në mbledhjen e 94-të, Qeveria e Kosovës ka miratuar 24 vendime.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Qeveria ndau mjete buxhetore për zbatimin e masës 3.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe miratoi vendimin në lidhje me zotimin e ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e konsumatorëve, në vlerë 41 milionë euro.

Po ashtu, Avokaturës Shtetërore iu ndanë 500 mijë euro.

Në vazhdimësi të masave mbrojtëse për konsumatorët dhe operatorët ekonomikë, në kuptim të rregullimit të çmimeve të produkteve të naftës, u plotësua dhe ndryshua Udhëzimi Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse.

Po ashtu u themelua Komisioni Ekzekutiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si grup ndërinstitucional që do të jetë përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në BE.

Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, është miratuar vendimi për vazhdimin e mbështetjes nga Qeveria, për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Republikën e Kosovës.

Me qëllim të forcimit të zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, u miratuan udhëzimet administrative për Autoritetet përgjegjëse për realizimin e të drejtave të fëmijës, si dhe për Këshillin për të drejtat e Fëmijës.

U miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë, që do të vendosë themelet për strukturë të qëndrueshme për zhvillimin e fuqisë kreative të Kosovës.

Gjithashtu u miratua edhe Rregullorja për Financimin e Dërgimit të Forcës së Sigurisë Jashtë Vendit, si dhe Rregullorja për Procedurat Konkurruese dhe Pranimi për Nëpunësit Administrativ dhe Mbështetës.

U themelua Komiteti për Administrimin e Tokës dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacionin Hapësinor të Republikës së Kosovës.

Është miratuar edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, në zonën kadastrale: Palaj (Caravodicë) të Komunës së Obiliq.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore “Kooperativa Bujqësore 23 Nëntori”, të cilat janë prekur nga realizimi i projektit: Zgjerimi dhe Rehabilitimi i Rrugës ekzistuese në fshatin Bajgorë, zonat kadastrale: Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Miratimin nga kabineti qeveritar mori edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, mamive, farmacistëve dhe veterinerëve në nivel të vendeve anëtare të Këshillit për Bashkëpunimin Regjional.

U mor vendim për obligimin e të gjitha institucionet publike që të sigurojnë qasje në ujë të pijes, brenda të gjitha institucioneve dhe hapësirave publike.

Po ashtu, u mor vendim për shpallje me interes të veçantë publik për prona të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.

Në mbledhjen e sotme u plotësua Programi Legjislativ për vitin 2022.

Miratimin e kabinetit qeveritar e morën pesë projektligje, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Projektligji për Ratifikimin e Vendimit Nr. 1/2022 të Këshillit të Stabilizim Asocimit BE – Kosovë për Amendamentimin e Marrëveshjes se Stabilizim Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike dhe Kosovës, për t’u zëvendësuar Protokolli III në lidhje me konceptin e “Produkteve Origjinuese’’.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Dypalëshe të Bashkëpunimit për Zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit te Madh te Luksemburgut. Ratifikimi i këtij Projektligji do të mundësojë procedimin e mëtejmë të realizimit të shfrytëzimit të garantit në vlerë prej 35 milionë eurove, të zotuar nga Dukata e Luksemburgut për Republikën e Kosovës.

Projektligji për Ratifikimin e “Amendamentimit 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015”. Qëllimi i Amandamentimit 2 të kësaj marrëveshjeje është zgjatja e afatit për zbatimin e programit vjetor IPA 2015, edhe për një vjet shtesë.

Si dhe Projektligji për Ratifikimin e “Amendamentimit Nr. 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018”. Ky ndryshim synon të rialokojë fondet sipas objektivit 2 dhe synon të zgjasë periudhën e përfundimit operacional për një vjet.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika