Të mërkurën e 24 gushtit, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se sistemi arsimor i Kosovës do të qëndrojë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Greva që fillon nesër dhe që do të vazhdojë deri në zgjidhjen e kërkesave, është ardhur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Jo nga SBASHK-u ose ndonjë federatë, por nga BSPK dhe në pajtueshmëri edhe të SBASHK-ut dhe të federatave të tjera. Fillon nesër dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të BSPK-së dhe federatave të tjera drejtuara qeverisë”, ka thënë Rrahman Jasharaj.
Rrahman Jasharaj ka thënë se deklarata e kryeministrit Albin Kurti nuk është kërcënim e as bojkot. Sipas tij, mund të ketë greva të përgjithshme, e për këtë e kanë paralajmëruar qeverinë përmes mediave dhe përmes shkresave tani e sa muaj.
“Kemi insistuar dhe jemi angazhuar për dialog. Qeveria Kurti asnjë milimetër nuk e ka bërë në këtë çështje, nuk ka pranuar dialog dhe as të merret me kërkesat tona. Greva ka ardhur si produkt i kësaj çështjeje, i mungesës së dialogut”, shton Jasharaj për KosovaPress.
Jasharaj ka konfirmuar fillimin e grevës në të gjitha çerdhet publike nga nesër.
“Nga përshtypjet e tyre që na i thënë është se SBASHK-u, sikur herëve të tjera do të jetë unik dhe i tërë sistemi arsimor do të jetë në grevë. Mirëpo, natyra e kësaj greve ndryshon tek arsimi, pasi nesër në grevë do të kemi çerdhet e Kosovës, ndërsa mësimdhënësit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale”, përfundon ai.