Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën e ka pritur në takim Zëvendësndihmëssekretarin e ShBA-së, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčák, të cilët i ka falënderuar për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuara, sipas Zyrës së Kryeministrit, artificialisht nga ana e Serbisë.
Po ashtu, sipas njoftimit, Kurti i ka falënderuar emisarët e dërguar për dialog, në synimin e tyre që të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, e cila do t’i normalizonte marrdhëniet.
“Kryeministri Kurti falënderoi z. Escobar dhe z. Lajčák për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuar artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Dy emisarët ndërkombëtarë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, kanë marrë garanci se Kosova nuk dëshiron destabilzimin e situatës së sigurisë.
Por, i dërguari amerikan dhe ai evropian janë treguar të rezervuar nëse arritën ndonjë marrëveshje në Prishtinë pas takimeve me liderët e shtetit.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, emisari Lajçak tha se prezenca e tyre në Kosovë erdhi për parandaluar përshkallëzimin e situatës më 1 shtator.
Ndërkaq, Gabriel Escobar, emisar i SHBA-së për Ballkanin ka thënë “Të dyja palët, Kosova dhe Serbia kanë siguruar se nuk dëshirojnë që situata të eskalojë në dhunë me datën një shtator”.