Mendimi pozitiv, një term që shumë e kemi dëgjuar, mirëpo jo edhe aq shumë e kuptojmë, është shumë i rëndësishëm për një mendje të qetë.
Jetmir Sefa, terapist i mendjes, i ftuar në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini, çartësoi faktin se mendja dhe truri nuk janë dy gjëra të njëjta, dhe nuk kanë shumë të përbashkëta.
Sipas tij, truri është një organ që përdoret nga mendja për të kryer funksionet e saj, siç përdoren edhe organet tjera. Ai thotë se mendja është energji, siç janë zëri apo valët e televizionit, teksa truri është materie fizike.
Sefa deklaron se ata që i dijnë rregullat e mendjes po e ndryshojnë botën, teksa ata që nuk i dijnë po i vuajnë pasojat.
Rregulli kryesor sipas tij është se mendja mëson nga përsëritjet, çdo gjë që e përsëritë me vetëdije kalon në nënvetëdije, andaj duhet menduar pozitivisht vazhdimisht, që këto mendime të kalojnë në nënvetëdije dhe të bëhen shprehi.
Sipas terapistit nëse mendohet negativisht, kjo shndërrohet në besim, pasi nënvetëdija nuk ka logjikë dhe mëson nga përsëritja e mendjes. Andaj ai thotë se duhet ta zëvendësojmë mendimin negativ me atë pozitiv.
Kjo lidhet edhe me rregullin tjetër, që mendja nuk mund të mbajë gjëra kontradiktore, nuk mund t’i mbajë dy besime të kundërta, andaj duhet zgjedhur mendimin e mirë, që të largoni negativitetin dhe frikën nga sistemi.