Të enjten e 25 gushtit, bëhen shtatë vjet qëkur në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja përcaktoi kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, zotësinë juridike si dhe dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare të Asociacionit.
Ndërsa më 31 tetor 2015, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, parashtroi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për ta vlerësuar përputhshmërinë e “parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore të AKS-së” me frymën e Kushtetutës.
Gjykata konstatoi se parimet nuk janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën.
Pas verdiktit të gjykatës, zbatimi i marrëveshjes u bë i pamundur.
Përveç asociacionit, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në prezencë të përfaqësueses së lartë të atëhershme të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, nënshkruan marrëveshjen për Telekomunikacionin, marrëveshjen për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, kishte thënë se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive” dhe se “marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.”
Edhe ministri i jashtëm i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se marrëveshjet “janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës” dhe se “asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.
Kosova dhe Bashkimi Evropian kishin insistuar që të katër marrëveshjet të nënshkruhen së bashku, pasi pala serbe ka qenë më së shumti e interesuar për marrëveshje për asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa ajo e Kosovës për tri marrëveshjet e tjera.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar se asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive.