Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në krye të listës së dëbimeve nga Gjermania

Në përgjigjen e Qeverisë gjermane për partin e Majtë, theksohet se dy vendet në krye të listës së dëbimeve janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria

Momenti i dëbimit nga Gjermania

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy destinacionet kryesore të kthimeve të detyruara nga Gjermania.

6 mijë e 200 të huaj janë dëbuar nga autoritetet e shtetit gjerman vetëm në gjysmën e parë të vitit 2022. Kjo u bë e ditur nëpërmjet pyetjes së partisë opozitare, Die Linke (E Majta), të cilës i ishte përgjigjur qeveria gjermane në një përgjigje me shkrim.

Sipas përgjigjes, të cilën e posedon dhe medium Deutsche Welle, ndër vendet kryesore ku u kthyen azilkërkuesit është Maqedonia e Veriut me mbi 450 të dëbuar dhe Shqipëria me mbi 400, pasuar nga Gjeorgjia me rreth 400. Ndërsa në Kosovë, Gjermania ka kthyer me detyrim 130 ish-azilkërkues. Grupi parlamentar E Majta e ka kritikuar ashpër praktikën e dëbimit.

“Mbetesh pa fjalë kur shikon se çfarë mjetesh janë të gatshme të përdorin qeveritë e landeve dhe ajo federale, vetëm për t’i dëbuar njerëzit nga vendi”, ka thënë zëdhënësja e politikës së refugjatëve të Partisë së Majtë, Clara Bünger.

Dëbimet kanë kosto marramendëse sipas përgjigjes së qeverisë federale, në gjysmën e parë të vitit 2022 nga Gjermania janë dërguar në destinacionet e tjera për riatdhesim rreth 35 persona me 11 avionë “mini charter”. Gjithsej, 167 nëpunës policie kanë qenë në detyrë për të garantuar sigurinë gjatë ekstradimit. Vetëm për “aparatet fluturuese”, siç quhen avionët në dokumentin në fjalë, shteti gjerman ka paguar gjatë gjysmës së parë të vitit, 580 mijë euro.

Clara Buenger, deputete e së majtës

Në vitin 2019, para fillimit të pandemisë së koronës, autoritetet kishin përdorur 21 fluturime të tilla  “mini charter” me maksimum katër të dëbuar për çdo fluturim. Gjithsej 48 persona janë kthyer me detyrim nga Gjermania në vitin 2019, dhe sipas Ministrisë Federale të Brendshme, kostot e fluturimit ishin në rreth 1 milion e 35 mijë euro. Në vitin 2020 Gjermania vuri në përdorim 14 fluturime charter për dëbimin e gjithsej 39 të huajve. Në disa raste shpenzimet për këto fluturime arritën deri në mbi 100 mijë euro për një ose dy persona. Përveç kësaj, ka pasur edhe 1 mijë e 826 kthime të azilkërkuesve në vende të BE-së, në përputhje me Rregulloren e Dublinit.

Strategjia e re e qeverisë gjermane synon dy vija, nga njëra anë, shpërblimin e të integruarve, duke u dhënë edhe nga një leje qëndrimi të përkohshme, nga ana tjetër, dëbimin e menjëhershëm të ish-azilkërkuesve që kanë mashtruar për identitetin, që kanë falsifikuar dokumentet, ose kanë kryer vepra penale.

Dëbimet vijojnë të jenë më të shpeshta në kohën e verës. Avioni i fundit me destinacion Shqipërinë u ngrit nga Mynihu të mërkurën, më 24 gusht 2022, sipas burimeve të rrjetit Deportation Alarm. Rrjeti i përbërë nga disa shoqata pro refugjatësh, paralajmëron enkas dëbimet në faqen e tij të internetit, me shpresë se kështu të prekurit do të mund të ndërmarrin hapa për ta parandaluar.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika