PDK e LDK mbështetin grevat: Qeveria të gjejë zgjidhje, të mos konfrontohet me grevistët

PDK dhe LDK kanë reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës do t’ua ndërpresë pagat punëtorëve që i janë bashkuar grevës të nisur sot nga Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës (BSPK)

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami

Paralajmërimi i ministrisë së Financave dhe Transfereve se do t’i pezullojë kontratat e punës ndaj grevistëve për aq kohë sa do të mbajnë grevë, e ka bërë Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që të reagojë.

Për deputeten e PDK-së, Blerta Deliu, greva është e drejtë e garantuar me ligj.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në facebook, Deliu ka kritikuar partinë në pushtet (Lëvizjen Vetëvendosje), se sa ishte në opozitë i përkrahte grevat.

“Kur jemi te grevat, Vetëvendosja sa ishte në opozitë mbështeste hapur ato.

Sot në pushtet, vendimet e kësaj qeverie ndaj grevistëve janë skandaloze dhe nuk i ngjajnë aspak një shteti demokratik.  Vetëm ish-sistemet kanë penguar kërkesat e punëtorëve për mirëqenie më të lartë, pagë optimale e siguri në punë”, ka shkruar ajo.

Në anën tjetër, deputetja e LDk-së, Hykmete Bajrami, njëkohësisht ish-ministre e Financave, ka thënë se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti duhet të gjejë një zgjidhje e jo të konfrontohet me grevistët.

Sipas saj, LVV “dikur përkrahëse e secilës grevë në sektor publik e privat”, duhet të gjejë zgjidhje shpejt për grevën e nisur sot sepse dëmi nga zgjatja e grevës mund të jetë i parikuperueshëm.

“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistet, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës.  Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Tash, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme. Kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti”, ka shtuar ajo.

Siç thekson Bajrami, ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova.

“Ne kemi në fuqi Ligjin për Grevat, i cili i ka dhënë të drejtë punëtorit të organizojë grevë të ligjshme dhe i ka dhënë mbrojtje se askush s’mund të marrë masa ndaj tij pse ka hyrë në grevë të ligjshme. Ndëshkimet përmes komisarëve dhe komisariateve, mund t’i bëjnë vetëm në parti, por jo edhe në Qeveri”, ka shkruar ajo.

Madje, Bajrami ka thënë se LVV dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur të mos flasin për asnjë temë tjetër përveçse për tabela dhe për takime me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçicin, që dikur ishte “prioritet i fundit”.

“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti kanë mbetur te tema e tabelave dhe nuk po merren me asnjë problem tjetër. As me problemin e arsimit. As me problemin e energjisë. As me problemin e ekonomisë. As me problemin e shëndetësisë”.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme nga 25 gushti, për realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk kanë arritur të dakordohen me zyrtarët e institucioneve, për ta anuluar grevën e paralajmëruar ditë më parë.

Paralajmërimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), i ka quajtur të paarsyeshme, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka premtuar se punëtorët e arsimit do të kenë paga të dinjitetshme në raport me performancën e tyre.

Për këtë arsye, sipas Nagavcit, është e papranueshme që procesi mësimor të mos fillojë me kohë.

“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron!”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Nagavci ka thënë se me projektligjin e ri për paga, rangimi i punëtorëve të arsimit është bërë edhe më mirë sesa ka kërkuar SBAShK-u.

“Jam shumë e bindur në përkushtimin e mësimdhënësve dhe përgjegjësinë që të njëjtit ndjejnë ndaj nxënësve. Sindikatat janë partneri ynë social, andaj dhe kemi shqyrtuar çdo kërkesë të tyre. Projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit edhe më mirë sesa SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar, me ish-qeverinë, andaj edhe procesi mësimor s’bën të pengohet”, ka vijuar Nagavci.

Ajo ka theksuar se Qeveria e Kosovës po ballafaqohet me pasojat e veprimeve të qeverive të kaluara, teksa shtoi se nuk do të lejohet as zhvatja e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bie ndesh me ligjin.

Ministrja e këtij dikasteri ka reaguar edhe në lidhje me padinë që rreth 26 komuna të vendit kanë dorëzuar ndaj ministrisë së arsimit dhe asaj të shëndetësisë.

“Kryetarët e komunave, të cilët kanë paraqitur padi janë pjesë e partive politike që kanë qenë në pushtet kur janë nënshkruar këto kontrata dhe nuk kanë planifikuar asnjëherë buxhet”, ka thënë Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit.

Ajo ka folur lidhur me padinë që Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka bërë ndaj MASHTI-t për shkak të kontratës kolektive.

Nagavci ka thënë se asnjëherë kontratat kolektive nuk i janë nënshtruar vlerësimit financiar.

“Asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka akuzuar dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, se po ia bën avokatin e komunave në përgatitjen e padive dhe po ngrit çështje të shumta në pengim të punës së institucioneve.

Paralajmërimet për greva nga sindikatat e Kosovës, nuk po i pëlqejnë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Këto paralajmërime të sindikatave, kryeministri Kurti i ka cilësuar si kërcënime, të cilat sipas tij, nuk janë të nevojshme.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse…”, ka deklaruar Kurti, raporton KP.

Kryeministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës është pro dialogut social me sindikatat, por sipas tij, pa kërcënime e ultimatume.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika