Kryesia e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) ka bërë të ditur, se nuk do të jetë pjesë e grevës së përgjithshme të paralajmëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Ky vendim është marrë sepse sipas tyre “kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësorë” sepse “punëtorët shëndetësorë e gëzojnë shtesën prej 60 euro”.
Sipas FSSHK-së, nuk është arsye e mjaftueshme që edhe kjo sindikatë t’i bashkohet grevës për vetëm 40 euro.
“Kryesia e FSSHK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 25.08.2022 pas shqyrtimit të situatës si dhe paralajmërimit të SBASHK-ut dhe Administratës për fillim të grevës së përgjithshme, del me qëndrim kundër grevës, respektivisht nuk i bashkëngjitet grevës për shkak se kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësorë, sepse punëtorët shëndetësorë e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk është arsye e mjaftueshme FSSHK të merr veprime sindikale siç janë grevat për 40 euro”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në njoftim thuhet edhe se kryesia e FSShK-së, ka vendosur që t’i hapë rrugë dialogut me Qeverinë e Kosovës,
“Gjithashtu se Ligji i Pagave është proceduar për miratim në Qeveri dhe priten konsultime rreth tij. Kryesia vendos që t’i hapë rrugë dialogut për vërejtjet dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë dhe që ato t’i realizojë nëpërmjet dialogut me komisionet përkatëse si dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, vijon njoftimi.
Greva e përgjithshme e organizuar nga BSPK, ka filluar të enjten, dhe sipas tyre do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Një nga kërkesat është që punëtorët e sektorit publik t’i marrin 100 euro shtesë në muaj derisa të miratohet ligji i ri për paga.
Ndërkaq, si kundërpërgjigje, Ministria e Financave, ka paralajmëruar se do t’i pezullojë nga paga të gjithë punëtorët që nuk paraqiten në punë.