Sekretari i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, në një prononcim për RTV Dukagjinin, ka thënë se sindikatat nuk e kanë njoftuar ministrinë për mbajtjen e grevës, sipas tij njoftimin e kanë marrë nga mediat.
Tutje Spahiu tha, se pezullimi i pagave për grevsitët është i bazuar në ligj.
“I referohem nenit 18 efektit të ligjit të grevave të ligjshme, i cili e ka një përmbajtje: Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”, ka deklaruar ai.
Edhe pse greva nga sindikatat ishte paralajmëruar gati 2 muaj më parë, Spahiu ka insistuar se një gjë e tillë nuk është bërë zyrtarisht nga punëdhënësit.
Ai ka theksuar se është dashur që Ministria e Financave, të njoftohet shtatë ditë përpara në mënyrë zyrtare.
“Situata ka ndodhur, në mëngjes e kemi pranuar njoftimin për grevën njoftim që është dashur ta pranojmë 7 ditë përpara. Ne e kemi pranuar njoftimin nga mediat. Nuk kemi pranuar diçka zyrtare. Ne jemi zotu që të mos cenojmë të drejtën e grevës, të mos diskriminojmë askënd që bëhet pjesë e grevës”, ka deklaruar ai.
Ai ka përsëritur se ndërprerjeje e pagës për punëtorët, për orët që nuk janë në punë është e drejtë.
“Ndërprerja e pagës për orët që nuk janë në punë është e drejtë. Do të ishte shumë më mirë sikur të njoftoheshim me kohë për grevën, e respektojmë grevën”, është shprehur ai.
Kurse për ligjshmërinë e grevës, Spahiu ka thënë se duhet të merret Inspektorati i Punës.