Firma për marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe u hodh hiç më pak se sot 7 vite më parë.
Nënshkrim që në Bruksel në vitin 2015 e vuri ish-kryeministri Isa Mustafa, marrëveshje kjo që erdhi pas asaj të viti 2013 kur kryeministër ishte Hashim Thaçi, ndërsa shtatë vite më parë ai ishte në cilësinë e ministrit të punëve të jashtme.
E që nga atëherë temë diskutimi ka qenë gjithmonë, por në implementim i kësaj marrëveshje nuk ka ndodhur asnjëherë, ndonëse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku u gjetën shumë shkelje, ishte filluar edhe draftimi i statutit të këtij organi.
Tema e asociacionit përmendet gjithmonë edhe tani sa herë që flitet për marrëdhëniet Kosovë – Serbi.
Ani pse nga instancat ndërkombëtare ndërkohë ka pasur kërkesa që të themelohet ky asociacion, sipas Kurtit në takimin e 18 gushtit, kjo ujdi nuk është përmendur fare.
Të fundit që e përmendën asociacionin ishin diplomati evropiani Jozep Borell dhe amerikani Gabriel Escobar.
Veçse ky i fundit, në kërkesën e tij për themelimin e asociacionit bashkëngjiti mesazhin se Asociacioni nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit.
E teksa po flitet e pritet për marrëveshjen e shumëpërfolur finale, një e tillë duke se nuk mund të vijë pa themelimin e asociacionit.
Kështu vlerëson profesori Seb Bytyqi, sipas tij i vetmi opsion është kujdesi për nga forma e krijimit të kësaj bashkësie dhe kompetencat që do të barte.
“Marrëveshja finale do ta ketë pjesë të rëndësishme të saj vetë çështjen e asociacionit, nuk mund të pritet, një marrëveshje për asociacion e pastaj të vijë ndonjë marrëveshje finale më vonë. Marrëveshja finale duhet ta trajtojë çështjen e asociacionit bashkë me çështjen e njohjes”, ka thënë Bytyqi.
Se asociacioni do të duhet të zbatohet edhe thotë edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Por, sipas tij një gjë e tillë duhet të ndodh tek pas njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pas deklarimit të zotëri Escobar dhe gjithë administratës amerikane, Kosova nuk ka asnjë arsye që të lejohet të negociohet për Asociacionin me kompetenca ekzekutive nëse kjo hapet nga pala serbe. Gjithë diskutimi mund të jetë për një Asociacion dhe dizajnimin e statutit të tij pa kompetenca ekzekutive dhe në momentin që njohja nga Serbia ka ardhur, ose njohja të jetë pjesë e diskutimit. S’ka nevojë të themelohet asnjë Asociacion nëse s’ka diskutim për njohje të Republikës së Kosovës nga Serbia. Duhet të shikohet të gjendet moduli siç ka propozuar edhe pala amerikane”, ka deklaruar Fetahu.
Para marrëveshjes së parimeve më 2015, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi më 19 prill të vitit 2013 kishte nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ku parashihej edhe themelimi i Asociacionit, e cila më pas u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013.