Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se fajtori kryesor i revoltimit dhe pakënaqësive të ndryshme të shoqërisë, është mungesa e dialogut social, të cilin nuk po e ofron Qeveria e Kosovës.
Tahiri është ka theksuar, se qeveria me qëllim po i kërcënon grevistët, për pezullim të pagave, në mënyrë që ta instalojë frikën dhe kontrollin e saj tek ta.
“Mungesa e dialogut dhe komunikimit të strukturuar ka rritur hendekun mes Qeverisë dhe sindikatave që po shtyn punëtorët në greva, e kriza sociale”, ka shkruar në Facebook Tahiri.
“Kërcënimi dhe shantazhimi i grevistëve është pjesë e një mendësie arrogante e autokratike, që në vend të dialogut, zgjedh përjashtimin dhe segregacionin social. Qëllimi i kësaj mendësie është instalimi i frikës, duke i hapur rrugë kontrollit dhe dominimit total. Kjo qasje herët a vonë do të rezultojë me një kundërshtim gjithpopullor”, ka vijuar ai.
Tahiri ka theksuar se qëndrimi i AAK-së, është se grevat janë legjitime dhe se ato janë të garantuara me ligjet e Kosovës.
Në lidhje me këtë çështje, nga Ministria e Financave, kanë thënë se të gjithë atyre që marrin pjesë në grevë do t’i pezullohet paga për ditët e munguara në punë. Sipas tyre, këtë e garanton ligji.