Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit të pandehurit me iniciale M.H, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Në njoftimin e prokuorisë thuhet se, i pandehuri nga data e pacaktuar deri me 25 gusht të vitit 2022, ka kultivuar 107 bimë narkotike të llojit kanabis sativa.
“Prokuroria njofton se, i pandehuri M.H., me datë të pacaktuar e deri më 25 gusht 2022, në fshatin Lug- Bunar, Komuna e Gjakovës, në mënyrë të paautorizuar ka kultivuar substancë narkotike, 107 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me qëllim të prodhimit të substancave narkotike ose psikotrope”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas prokurorisë, në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur armë dhe municion, për të cilat nuk kishte leje.
Gjithashtu, i pandehuri M.H., më parë e deri më 25 gusht 2022, në shtëpinë e tij, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për Armët, një armë automatike AK-47 me karikator dhe shtatëmbëdhjetë fishekë, si dhe një karikator i revoles me njëmbëdhjetë fishekë, ku ato i janë konfiskuar nga ana e policisë.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit M.H., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. I dyshuari, sipas prokurorisë, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 25 gusht 2022.