Të premten e 26 gushtit, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi këtë javë, është për të mbështetur përpjekjet e Bashkimit Evropian(BE) në gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Ambasadën Amerikane në Beograd, raporton REL.
Escobar ka thënë se dëshiron që të dyja palët të zotohen se nuk do të ketë dhunë.
“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, ka thënë ai.
“Ne u kemi thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë se ne presim që çështja e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese të jetë në agjendën e takimit të radhës, ne nuk presim që të arrihet marrëveshje atëherë, mirëpo natyrisht që presim të jetë në agjendë”.
Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve.
Emisarët të enjten kanë mbajtur takime me zyrtarët e lartë në Serbi.
Fillimisht, ata u takuan me drejtorin e ashtuquajtur të Zyrës për Kosovën nga Qeveria e Serbisë, Peter Petkoviq.
Më pas, Lajçak u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa më vonë atyre i është bashkuar edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishin qëndruar dy ditë në Kosovë ku ishin takuar me krerët e Qeverisë së Kosovës, presidenten, dhe partitë opozitare.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel.
Pavarësisht takimeve të gjata dypalëshe e trepalëshe, në këtë ditë nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.