Operatori bërthamor “Energoatom” në një deklaratë të premten e 26 gushtit ka thënë se, gjashtë reaktorët në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës (NPP) kanë mbetur të shkëputur nga rrjeti elektrik i vendit.
Në deklartën e “Energoatom” thuhet se që nga ora 9:00 e mëngjesit më 26 gusht 2022, të gjitha njësitë e energjisë të NPP Zaporizhzhia janë shkëputur nga rrjeti elektrik, duke shtuar se nevojat e vetëstacionit për energji elektrike po siguroheshin përmes një linje të riparuar nga sistemi energjetik i Ukrainës.
“Linja e furnizimit me energji elektrike të ZNPP në sistemin energjetik të Ukrainës gjithashtu është restauruar, po punohet për përgatitjen e lidhjes së dy njësive të energjisë të ZNPP në rrjet. Nuk ka komente për funksionimin e pajisjeve dhe sistemeve të sigurisë”, thuhet tutje në deklaratë, njofton CNN.
Administrata rajonale civile-ushtarake e Khersonit ka akuzuar forcat ruse për ndërprerjen e dy linjave të energjisë elektrike në termocentral, duke e lënë të gjithë rajonin e Khersonit, përkohësisht, pa energji elektrike dhe furnizim me ujë të enjten, përpara se të rikthehej deri në fund të ditës.