Të premten e 26 gushtit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Raportet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të mira, teksa presidentja Osmani ka shfaqur besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës e Suedisë do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Westerlund.
“Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Suedisë për ndihmën e deritashme, duke kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, e sidomos për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, njofton Zyra e Presidencës.
Në takimin e Osmanit dhe Westerlund-t është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.
“Sipas Presidentes Osmani, vendimet e institucioneve të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe se institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtar”, thuhet tutje në njoftim.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Westerlund kanë diskutuar edhe për thellimin e raporteve në sferën e politikës së jashtme, fuqizimin e demokracisë, sundimin e ligjit, barazisë gjinore dhe mbrojtjes së mjedisit.