Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të shpallë emrin e personit që do të formojë ekipin e qeverisë së re të Serbisë, të shtunën.
Raportohet se të shtunën në orën 10, Vuçiq do t’i drejtohet publikut me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re të Serbisë, me ç’rast, pritet të flasë edhe për Kosovën, njoftoi shërbimi për shtyp i presidentit të Serbisë.
Më parë, Vuçiq, si kryetar i SNS-së, pas seancës së kryesisë së partisë vendosi se kush do të ishte ai person, duke zgjedhur mes ish-kryeministres Ana Brnabiq dhe kryetarit të Novi Sadit, Millosh Vuçeviq, për të cilin 90 për qind e presidencës mendojnë se duhet të udhëheqë qeverinë e ardhshme.
Mediumet serbe raportojnë se Vuçiq deklaroi se i vlerëson dhe i do shumë të dy. Siç tha ai, nuk ka asnjë kundërshtim për punën e Brnabiqit, e cila, siç ka shpjeguar ai, ka luftuar trimërisht dhe ka bërë punë të mirë. Vuçiq thotë se e njeh Vuçeviqin prej kohësh dhe e di se sa serioz dhe përgjegjës është.
Sipas tij, këdo që të zgjedhë do të ketë kundërshtime.