28 persona i ka identifikuar Prokuroria Speciale si dëshmitarë potencial në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq në vitin 2018.
Por, 4 prej tyre janë anonim. Por, pavarësisht mbrojtjes së identitetit të tyre, të njëjtit kanë deklaruar para institucioneve të drejtësisë se janë kërcënuar me jetë nga zyrtarë të Listës Serbe.
Prokuroria Speciale e Kosovës nuk i ka treguar televizionit Dukagjini nëse është duke i trajtuar këto dhe nuk ka kthyer fare përgjigje.
“I pandehuri Milan Mihajloviq më ka kërcënuar duke më thënë se do të më vrasë, do të më përzë nga këtu, ti nuk e din me kënd ke punë dhe çfarë fuqie kam unë mbrapa. Unë këtë rast e kam paraqitur dhe kam dhënë deklaratë në polici në Leposaviq”, është shprehur dëshmitari B1.
Këtë deklaratë, dëshmitari B1 e ka dhënë kohë më parë para organeve të rendit.
E në seancën e fundit, kur dëshmia e tij do të duhej të dëgjohej nga trupi gjykues, ai ka thënë se për shkak të kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më dëshminë.
Në deklaratën e tij, të cilën e kishte dhënë më herët, Mihajloviqin e konsideron si mik të afërt të Milan Radojiqiq.
“Me datë 16 dhe 17 janar 2018 i pandehuri Milan Mihajloviq nuk ka qenë në Leposaviq, e që është pak e dyshimtë duke e ditur që ky rregullisht qëndron në Leposaviq, e në anën tjetër është njeri i afërt me Milan Radojiçiq. Kur e kam pyetur se mos ke lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ai më është përgjigjur “Mos u bë i marrë, mos më lidh mu me këtë punë”, ndërsa kur i thashë se ti e din shumë mirë kush po i kryen këto vrasje, këto krime, ai më tha “Mos i përmend këto gjëra, se për këto shkon edhe koka, sepse pas këtyre gjërave qëndrojnë forcat e fuqishme shtetërore”, ka shtuar dëshmitari B1.
Dëshmi të tilla sikur kjo e dëshmitarit B1, avokati i përfshirë në këtë rast, Tomë Gashi, thotë se ka me bollëk.
“Këta gjithmonë deklarojnë se janë të frikësuar nga strukturat kriminale në veri dhe të cilët e identifikojnë Milan Radojiçiqin si udhëheqës të tyre. Një pjesë e madhe e tyre kanë refuzuar të japin dëshmi, prapë po e përsëris edhe dëshmitarët anonim të cilët nuk dihet se kush janë, por jo vetëm këta, refuzim që të japin dëshmi të plota kanë pasur edhe dëshmitarët të cilët janë deklaruar më herët gjatë fazës së hetimeve”, ka theksuar Gashi.
Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ka rreth katër vjet që është duke u zhvilluar, përderisa si të akuzuar për përfshirje në forma të ndryshme, janë Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zarko Jovanoviq e Rade Besara.
Dy prej të akuzuarve, Spasojeviq dhe Besara ishin hetues në hetues në Policinë e Kosovës.
E avokati Musa Damati, që në këtë rast mbron Silvana Arsoviqin, tregon se vet dëshmitarët kanë përfshirë në rast edhe figura të tjera.
“Një pjesë e tyre janë deklaruar se frikësohen për jetën dhe familjet e tyre nëse flasin hapur në këtë proces gjyqësor dhe një pjesë tjetër e dëshmitarëve, me dëshmitë e tyre të cilat i kanë ofruar pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës Departamentit Special, kanë deklaruar dhe kanë involvuar figura të larta të botës së politikës, figura të larta të botës së biznesit dhe të mafias”, ka thënë Damati
Ndryshe, politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë para zyrës së tij, më 16 janar të vitit 2018.