Franca ka akuzuar dy zjarrfikës vullnetarë për ndezjen e disa prej flakëve shkatërruese që kanë tronditur pjesën jugore të vendit gjatë verës.
Njëri nga zjarrfikësit është 27-vjeçar i cili është arrestuar të mërkurën e 24 gushtit.
Autoritetet e kanë akuzuar atë për ndezjen e një zjarri që ka djegur 230 hektarë tokë pranë liqenit Vouglans në fillim të muajit.
Ndërsa disa nga kolegët kishin marrë pjesë në gjyqin e tij, i cili kishte filluar të enjten e 25 gushtit.
Koloneli Cyril Fournier, i cili punon me shërbimet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit, ka thënë se zjarrvënia “e njollosë uniformën. Nuk bëhet fjalë për të treguar ndonjë tolerancë për këtë temë”, raporton euronews.
Zjarrfikësi i dytë i arrestuar është një 35-vjeçar i cili dyshohet se ka ndezur disa zjarre të tjera në komunën Vif dhe nëse i njëjti shpallet fajtor mund të dënohet deri me 15 vjet burg.
Ndërkaq, një tjetër zjarrfikës vullnetar ka pranuar se kishte ndezur zjarre gjatë një periudhe disavjeçare. Ai iu ka thënë autoriteteve se ishte i motivuar nga nevoja për ‘njohje shoqërore’ dhe nxitimi i adrenalinës.
Pierre Lamothe, një psikiatër i specializuar në kriminologji, ka theksuar se një nga arsyet pse zjarrfikësit bëjnë veprime të tilla është sepse: “shpesh ekziston nevoja për t’u ndjerë i domosdoshëm. Njeriu krijon mundësinë për të qenë një shpëtimtar, ndërsa dikush bëhet hero brenda pak orësh”.
Ndërkaq ekspertët kanë thënë që janë disa shenja që tregojnë që zjarret po shkaktohen qëllimisht, sidomos kur ka zjarre të shumta të cilat kanë filluar brenda një kohe të shkurtër.
Ndryshe që nga fillimi i verës, autoritetet franceze kanë arrestuar 34 zjarrvënës.