Në mbledhjen e këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kryetari i saj e njëherësh, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës.
I pari i ekzekutivit para delegatëve të LVV-së tha se, Kosova ka pasur rritje të ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti.
Ai renditi një nga një punët e mira, të cilat sipas tij, i kanë bërë në çdo sektorë.
“Në tremujorin e parë të këtij viti kemi rritje të ekonomisë 4.9% pasi të hiqet imflamacioni. Në 1/3 e mandatit kemi miratuar mbi 100 ligje. Prioritet kryesor në Drejtësi mbetet vetingu. Kemi vazhduar luftën kundër krimit e korrupsionit. Janë shkatërruar 65 grupe kriminale. Operacionet policore për sundim të ligjit janë zhvilluar në çdo cep të Kosovës duke përfshirë edhe veriun. Po punohet në ligjin për shëndetësinë. Arsimin përveç0 se e kemi bërë falas. Kemi filluar më hapa konkret për arsimin dual. Për mërgatën, në këtë 1 shtator do ta kemi abetaren e përbashkët në bashkpunim më Shqipërinë. Për komunat kemi trefishuar grantin e performancës. Kemi aplikuar në Këshillin e Evropës, kemi themeluar grupi punues për anëtarësim në NATO, kemi themeluar grupin punues për Bashkim Evropian kur do të aplikojmë sivjet. Kemi përpara disa procese delikate, por që duhetë të kemi mbështetje”, ka thënë Kurti gjersa ka theksuar se LVV-ja është subjekti më i madh demokratik në Kosovë dhe shpresa për qytetarët.
“Nuk është për t’u habitur se një Qeveri që synon demokracinë për të gjithë, udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka bërë fajtorë disa media, të cilat sipas tij, po merren më shumë me deklarata të Beogradit. Ai ka theksuar se çdo komunikim i tij do të jetë vetëm në interesat e Republikës së Kosovës.
Kurti u dërgon ftesë liderëve opozitarë për të diskutuar lidhur me takimin e Brukselit
Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LVV-së, kryeministri Kurti gjersa ka lavdëruar Qeverinë e Kosovës për punët e deritanishme, ka ndarë kohën për të ftuar liderët e partive opozitare për të diskutuar lidhur me takimin në Bruksel për të cilin, ka thënë se do të punojë me të gjithë.
“Ne jemi për dialog me parime. Andaj edhe sot i dërgojë ftesë tre liderëve opozitarë për të folur për takimin e Brukselit. Është e natyrshme të kemi dallime, por jo në interes të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, ai ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel ka prezantuar një kornizë prej 6 kapitujsh dhe se dëshiron që me Serbinë të realizohet një marrëveshje.
Kurti: Duam marrëveshje ligjërisht të obliguar, deri atëherë do të ketë reciprocitet të plotë
Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh, kryetari I Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se Republika e Kosovës dëshiron që marrëveshja me Serbinë të jetë marrëveshje ndërkombëtarisht e njohur dhe njëherësh, edhe ligjërisht të obliguar për normalizim të mardhënies së të dy vendeve.
Gjersa ka treguar për kornizën të cilën e prezantoi në takimin në Bruksel, Kurti nuk ka lënë anash as imazhin e Serbisë të cilin do ta donte.
“Ne do të donim një Serbi demokratike që ballafaqohet me të kaluarën e saj, një Serbi që e trajton seriozisht se si u bë pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza massive atje me njerëz të vrarë e kufoma të rrëmbyera, gjithsej 950 shqiptarë deri më tash”, ka thënë Kryeministri Kurti gjersa ka theksuar se vendimet e Kosovës nuk janë asgjë më shumë sesa shprehje e sovranitetit.
Të shtunën, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka rënë dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse-dalëse për qytetarët e Kosovës.