Kufizime emergjente të energjisë elektrike i janë kërkuar KEDS-it nga KOSTT, si shkak i rënies nga sistemi i njësisë A3.
Tanimë, me rënien e bllokut A3 të TC “Kosova A”, sipas KEDS, në Kosovë do të prodhohen më pak se 400 megavatë.
“Në ballafaqim me kufizime emergjente, do të jetë shumë e vështirë të njoftohen të gjithë konsumatorët në kohë, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, KEDS-i ka kërkuar nga konsumatorët që ta kursejnë energjinë elektrike.
“Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë eficiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër. Në këto rrethana të vështira, duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që t’i kapërcejmë ato sa më mirë. Së bashku mund t’i dalim”, përfundon kompania.
Më 18 gusht, KOSTT-i kishte njoftuar se instruksionet për kufizim të furnizimit me energji elektrike do të mbesin në fuqi derisa të stabilizohet situata.
Kjo për shkak të pamjaftueshmërisë së furnizimit që parashihet me Kodin e Rrjetit.