Partitë opozitare, ende nuk kanë pranuar ftesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili më 24 gusht në një konferencë për media kishte thënë se gjatë këtij muaji do të ketë një ftesë për takim me opozitarët.
“Meqë po i afrohemi sesionit vjeshtor, është mirë që të takohemi për shumë çështje. Mund ta konfirmoj që do të ketë ftesë për takim me liderët opozitarë në një kohë të përshtatshme edhe për ata në muajin gusht”, ishte shprehur Kurti.
Madje Kurti, ndonëse nuk është takuar me liderët dhe deputetët e partive opozitare që nga hera e fundit që janë parë në kuvend, ka thumbuar duke thënë se për të njëjtit e ka marrë malli.
Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës në një përgjigje për RTV Dukagjinin, ka mohuar të ketë pranuar ndonjë ftesë nga kreu i qeverisë.
“Nuk kemi qëndrim për këtë. Nëse do të ketë një ftesë të tillë, do ta shqyrtojmë arsyeshmërinë e saj”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
Se një ftesë të tillë s’e ka pranuar as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka.
Ai ka thënë se në rast se do ta pranojnë një ftesë nga Kurti, atëherë do ta shqyrtojnë pjesëmarrjen.
“Nga Kurti nuk ka ardhur asnjë ftesë. Nëse vjen një e tillë, do e shqyrtojmë pjesëmarrjen”, ka thënë Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së, për RTV Dukagjini.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka theksuar nevojën “urgjente” që të zhvillohet një dialog i brendshëm me pjesëmarrje të pozitës dhe opozitës.
Kështu ka thënë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka theksuar se përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet.
“Në këtë fazë, mesazhi është që duhet të ndalet retorika e luftës, retorika që sjell konflikt, sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokusi ndërkombëtar po çon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke, pa opsion tjetër”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Krerët në Kosovë thanë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.
Kosova, më 1 gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës. Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria në Prishtinë, shtyu vendimin për 1 shtator. Ndërkaq, për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.
Deri te marrëveshje për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur do të mundësohet që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.
“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërkaq, më 27 gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Beograd se Serbia do të pranonte dokumentet e Kosovës, vetëm nëse në kufi do të lëshohej një deklaratë ku bëhej e ditur se kjo nuk do të nënkuptojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.