Rada Trajkoviq – politikane serbe, e ka komentuar dakordimin e Kosovës dhe Serbisë për heqje dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e dy vendeve.
Ajo me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, e ka quajtur fitore të Kosovës “duelin” për dokumentet.
Ajo ka thënë se pala serbe e ka humbur shansin për ta kushtëzuar marrëveshjen për reciprocitet.
“Është e padiskutueshme që Kosova fitoi duelin diplomatik për dokumentet. Dhe ekipi ynë negociator humbi shansin për ta kushtëzuar marrëveshjen për reciprocitetin të paktën me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti është i guximshëm dhe nuk do të jetë më i gatshëm për kompromis. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë ata që kanë për qëllim një Kosovë multietnike”, ka shkruar Trajkoviq.
Nesporno je da je Kosovo pobedilo u diplomatskom duelu o dokumentima. A naš pregovarački tim propustio je šansu da dogovor o reciprocitetu makar uslovi formiranjem ZSO. Kurti je ohrabren i biće još nespremniji na kompromis. To treba da brine sve kojima je cilj multietnično Kosovo
— Rada Trajkovic (@trajkovic_rada) August 28, 2022
Ndryshe, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Krerët në Kosovë thanë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.
Kosova, më 1 gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës. Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria në Prishtinë, shtyu vendimin për 1 shtator. Ndërkaq, për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.
Deri te marrëveshje për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur do të mundësohet që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.
“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërkaq, më 27 gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Beograd se Serbia do të pranonte dokumentet e Kosovës, vetëm nëse në kufi do të lëshohej një deklaratë ku bëhej e ditur se kjo nuk do të nënkuptojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.