Të hënën e 29 gushtit, një ekip inspektimi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), është nisur për vizitë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, Ukrainë.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i kësaj organizate, Rafael Grossi.
Ai ka thënë se ekipi pritet të arrijë në termocentral në fund të kësaj jave.
“Ne duhet të mbrojmë sigurinë e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës”, ka shkruar ai në Twitter.
The day has come, @IAEAorg's Support and Assistance Mission to #Zaporizhzhya (ISAMZ) is now on its way. We must protect the safety and security of #Ukraine’s and Europe’s biggest nuclear facility. Proud to lead this mission which will be in #ZNPP later this week. pic.twitter.com/tyVY7l4SrM
— Rafael MarianoGrossi (@rafaelmgrossi) August 29, 2022
Ndryshe, centrali bërthamor është pushtuar nga forcat ruse që nga muaji mars.
Luftimet rreth objektit në juglindje të Ukrainës kanë rritur shqetësimin global mbi sigurinë e vendit.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e zonës.
Dëmtimi nga zjarri i një linje transmetimi në centralin bërthamor më të madh të Evropës shkaktoi një ndërprerje të energjisë në të gjithë rajonin dhe rriti frikën për një katastrofë në një vend të përhumbur ende nga fatkeqësia e Çernobilit më 1986.
Lana Zerkal, një këshilltare e ministrit të Energjisë të Ukrainës, ka thënë për mediat ukrainase të enjten në mbrëmje se po përpunohen çështje logjistike që ekipi i IAEA të vijë në uzinën e Zaporizhzhia, e cila është pushtuar nga forcat ruse dhe e drejtuar nga punëtorët ukrainas që në ditët e para të luftës gjashtëmujore, njofton AP.
Zerkal ka akuzuar Rusinë për përpjekje për të sabotuar vizitën.
Ukraina ka pretenduar se Rusia në thelb po e mban peng uzinën, duke ruajtur armë atje dhe duke i nisur sulmet rreth tij, ndërsa Moska e akuzon Ukrainën për gjuajtje të pamatur mbi objektin.
“Pavarësisht se rusët ranë dakord që misioni të udhëtonte nëpër territorin e Ukrainës, ata tani po krijojnë artificialisht të gjitha kushtet që misioni të mos arrijë në objekt, duke pasur parasysh situatën rreth tij”, ka shtuar ajo.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Moska për pretendimet.
Kreu i agjencisë atomike, Rafael Mariano Grossi, ka thënë gjithashtu të enjten se shpreson të dërgojë një ekip në central brenda disa ditësh.
Negociatat mbi mënyrën sesi ekipi do të hynte në uzinë janë të komplikuara, por janë duke avancuar, ka deklaruar ai për televizionin France-24.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas thanë se një zonë afër termocentralit u vu nën një breshëri granatimesh gjatë natës, mes shqetësimeve në rritje se një konflikt i armatosur pranë një centrali atomik që punon mund të shkaktojë dëme më serioze, edhe pse reaktorët e Zaporizhzhia mbrohen nga kupola mbajtëse prej betoni të përforcuar.
Uzina e Zaporizhzhia u shkëput nga rrjeti elektrik pasi zjarret dëmtuan linjën e fundit të rregullt të transmetimit që funksiononte, sipas agjencisë së energjisë bërthamore të Ukrainës, Energoatom.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, fajësoi bombardimet ruse, dhe tha se gjeneratorët rezervë të urgjencës me naftë të uzinës duhej të aktivizoheshin për të furnizuar energjinë e nevojshme për funksionimin e uzinës.
Guvernatori rajonal i Zaporizhzhias, Yevgeny Balitsky, fajësoi për dëmtimin e linjës së transmetimit një sulm ukrainas.
Shumë centrale bërthamore janë projektuar për t’u mbyllur automatikisht ose të paktën për të reduktuar prodhimin e reaktorit në rast të humbjes së linjave të transmetimit në dalje.
IAEA theksoi se Ukraina e informoi atë se sistemet e mbrojtjes emergjente të reaktorëve ishin aktivizuar dhe të gjitha sistemet e sigurisë mbetën funksionale.