Raketa gjigante e gjeneratës së ardhshme të NASA-s do të niset drejt hënës.
Nisja e kësaj rakete pa ekuipazh do të jetë një lloj testi, ku pritet të udhëtojë për gjashtë javë në drejtim të hënës dhe të kthehet pastaj prapa. Ky fluturim shënon misionin e parë të programit Artemis të agjencisë hapësinore.
Raketa e quajtur SLS është më e fuqishmja e zhvilluar ndonjëherë nga NASA dhe do të jetë themeli i projektit të saj Artemis, përmes të cilit synon të kthejë njerëzit në sipërfaqen e hënës pas një mungese 50-vjeçare.
Anija kozmike u dërgua ngadalë në “Launch Pad 39B” në fillim të këtij muaji pas javëve të përgatitjeve përfundimtare dhe testeve tokësore. Javën e kaluar, zyrtarët e NASA-s përfunduan rishikimin e tyre të gatishmërisë për fluturim, duke deklaruar se të gjitha sistemet ishin “gati për nisje”.
Raketa është planifikuar të ngritet nga Qendra Hapësinore Kennedy në orën 08:33 me kohën lokale (12:33 GMT; 13:33 BST) të hënën.
Detyra e saj do të jetë të shtyjë një kapsulë të quajtur Orion, larg Tokës.