10 vendet turistike që duhet vizituar në Kosovë

Kosova është një vend i bukur me trashëgimi të fortë kulturore e cila ka natyrë shumë të pasur. Kosova nuk është vetëm male, por gjithashtu ka liqene të mahnitshme me pamje piktoreske dhe atraksione të tjera me rëndësi të lartë kulturore

Edhe pse një vend i vogël, Kosova ka shumë destinacione për të parë dhe vizituar.

Këto janë disa nga vendet me të bukura në Kosovë të cilat mund t’i vizitoni në një ditë pushimi.

  1. Shpella e Kusarit

Shpella e Kusarit është një ndër destinacionet më të veçanta të Kosovës. Sipas gjetje arkeologjike, kjo shpellë ka qenë e banuar në kohën e eneolitikut. Kjo shpellë gjendet 1km larg fshatit Kusar në Gjakovë dhe ndodhet në një terren malor të Maleve të Pashtrikut.

Shpella e Kusarit. Fotografi Arben Llapashtica

Shpella e Kusarit karakterizohet me një terren të shkëmbor dhe të gjelbëruar, tek e cila vizitorët mund të ecin deri në brendësi të saj dhe të shijojnë pamjet magjepësese gjelbërore që kjo shpellë ofron për vizitorët e shumtë.

Edhe pse në vend malor, vlen të ceket se ju mund të udhëtoni me veturë deri tek destinacioni dhe pastaj të ecni 10 min deri tek shpella pasi rruga deri aty është e asfaltuar dhe në gjendje të mirë.

  1. Drini i Bardhë

Ujëvara e Drinit të Bardhë është një ndër atraksionet më të vizituara të komunës së Pejës. Burimi i Drinit të bardhë është një nga ujëvarat më të bukura të Kosovës, e cila përveç që është atraksion turistik, furnizon qytetin e Pejës me ujë të pijes.

Drini i Bardhë

Rrugëtimi për tek Drini i Bardhë mund të bëhet nga 2 qasje. Qasja e parë të shpie nga restaurant “Ujëvara e Drinit” nga e cila pastaj duhet të ndiqni shtegun e ecjes përgjatë lumit, ndërsa qasjen tjetër tek Ujëvara e Drinit bëhet nga restaurant “Trofta e Drinit”, qasje kjo e cila ju lejon të afroheni me makinë deri tek shtegu dhe pastaj të ecni në këmbë deri tek Ujëvara.

  1. Kalaja e Prizrenit

Kalaja e Prizrenit është monumenti më i njohur i trashëgimisë kulturore dhe simboli i qytetit të Prizrenit. Kalaja është ndërtuar në një kodër të lartë nga e cila shihet i gjithë qyteti i prizrenit si në pëllëmbë të dorës.

Kalaja e Prizrenit

Rruga për në kala merr 15 minuta ecje në këmbë. Ju duhet të ndiqni një rrugicë nga qendra e qytetit e cila të shpie lartë në kala, tek e cila ju do të magjepseni me pamjen piktoreske të qytetit të Prizrenit, si dhe me ndërtimet e bëra në kala së fundmi.

  1. Liqenet e Mirushës

Të gjendur në fshatin Rudë në komunën e Malishevës, Ujëvarat e Mirushes, ndryshe njohur edhe si Park Regjional i Natyrës, janë një ndër destinacionet më të bukura të Kosovës. Kjo zonë karakterizohet me një numër të madh të liqeneve me forma dhe madhësi të ndryshme duke përfshirë 16 liqene dhe 12 ujëvara.

Liqenet e Mirushës

Përveç se do të përjetoni pamjen magjepëse të liqenit të madh, ne ju rekomandojmë që të ngjiteni më lartë dhe të shihni të gjithë liqenet që ndodhen në këtë zonë dhe të kompletoni pamjet piktoreske që Ujëvarat e Mirushës ofrojnë për vizitorët.

  1. Ulpiana

Ulpiana – Qyteti Romak, i themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan, konsiderohet të jetë një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës

Ulpiana

Qyteti antik i Ulpianës ndodhet në Graçanicë, Kosovë dhe është i rrethuar me mure të gjëra deri në 3m dhe me nga dy kulla gjysmërrethi. Ulpiana ka sipërfaqe prej 35,5 ha dhe sipas gjetjeve arkeologjike ky qytet ndodhej afër qytetit të sotshëm të Lipjanit, madje supozohet që ky qytet mund edhe të identifikohej me po këtë qytet.

  1. Shpella e Gadimes

Shpella e Gadimes ndodhet në fshatin Gadime të komunës së Lipjanit. E njohur për dukuritë dhe pamjet interesante që ofron, shpella e Gadimes është shpella e vetme e përgatitur për vizitorë në Kosovë.

Shpella e Gadimes

Shpella përmban detaje mjaft interesante si kristale, rezonanca në stalaktit me të cilat mund të luani melodi, stalagmite, aragonite nëntokësore si dhe mure shumëngjyrëshe të cilat bëjnë që eksperienca juaj brenda shpellës të mos harrohet shpejtë.

Në brendësi të shpellës ndodhet gjithashtu edhe një liqen, i njohur si Liqeni i Fortunës në të cilin turistët hedhin para për realizimin e dëshirave.

  1. Gryka e Rugovës

Gryka e Rugovës, njohur ndryshe edhe si kanionët më të gjata dhe më të thella të Kosovës gjendet afër qytetit të Pejës në Bjeshkët e Nemuna.

Gryka e Rugovës. Fotograf Besnik Matoshi

Gryka e Rugovës përbëhet nga disa ujëvara dhe burime uji siç është Uji i Zi dhe Kroi. Kjo pjesë gjithashtu përmban një urë harkore e cila lidh kanionin dhe tërheq mjaft shumë vizitorë të huaj nga e gjithë Kosova pasi është terren i përshtatshëm për ngjitje, piknik me familje, alpinizëm, bjeshkatari, etj.

  1. Pylli i arinjve Prishtina

Për të gjithë të apasionuarit pas arinjeve, strehimorja e arinjeve Bear Sanctuary Prishtina, e cila gjendet në fshatin Mramor afër liqenit të Badovcit në Prishtinë ju mundëson të shihni nga afër arinj të strehuar në këtë strehimore. Bear Sanctuary Prishtina numëron gjithsej 20 arinj të cilët tashmë zhvillojnë jetën e tyre në këtë territor.

Pylli i arinjve Prishtina

Bear Sanctuary është i hapur për vizitorët dhe ofron zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme për fëmijë, evente të ndryshme si dhe restaurante. Eksplorimi i arinjve në strehimore drejtohet nga ekspertët e fushës të cilët ndajnë fakte dhe detaje për arinjët e kaftë që ndodhen aty.

  1. Kalaja e Artanës

Kalaja e Artanës, ndryshe njohur edhe si Kalaja e Novobërdës ndodhet një mal të vogël ndërmjet Përlepnicës dhe Kricarekës në perëndim të Gjilanit. Në këtë kala, ruhen rrënojat e qytetit mesjetar të Novobërdës në të cilin kanë banuar mbi 50 mijë banorë.

Kalaja e Artanës. Fotografi Arben Llapashtica

Kalaja e Artanës përbëhet nga kalaja e sipërme dhe kalaja e poshtme. Kalaja e sipërme ka gjithsej 6 kulla, atë lindore dhe përendimore të cilat kanë bazë drejtëkëndëshe ndërsa të tjerat kanë bazë katrore.

  1. Liqenati

Liqeni i Kuqishtes, ndryshe i njohur edhe si Liqenati ndodhet në Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në pjesën perëndimore të Kosovës. Liqenati ndodhet në një lartësi mbidetare 1.970m mbi nivelin e detit. Pavarësisht kësaj, ky liqen vizitohet nga turistë dhe alpinistë të shumtë të cilët ngjiten në majet e maleve.

Liqenati

Për të shkuar tek Liqenati, ju duhet të afroheni me veturë deri tek restauranti “Guri i Kuq” dhe pastaj të vazhdoni në këmbë duke ndjekur shtegun deri tek Liqenati. Ndiqni shenjat nëpër drunj pasi ato tregojnë drejtimin që duhet të ndiqni për tek Liqenati.

Shpresojmë që do të mund t’i vizitoni ato dhe të keni një ditë mrekullueshme pushime me shoqërinë apo me familjen tuaj.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika