Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku ka pranuar ftesën e Kryeministrit Kurti megjithëse kishte pritur një proces më transparent dhe njëherësh, më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut.
“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, ka shkruar Abdixhiku.
Një reagim i tillë vie pasi ftesa e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas lajmërimit se do të ftonte liderët opozitarë për të biseduar para takimit të arshsëm në Bruksel, vie me vonesë.
Përmes një postimi në Facebook, lideri i LDK-së ka kritikuar “qasjen e mbyllur” të kryeministrit Kurti i cili sipas Abdixhikut, ka informuar spektrin politik dy javë pas takimit në Bruksel.
“Publiku kosovar ndërsa, mbetet ende i painformuar mbi këtë proces; siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dy javë pas takimit në Bruksel, kryeministri ka zgjedhur të informoj spektrin politik në vend. Këtë qasje të mbyllur e kemi kritikuar gjithherë edhe kur ky kryeministër ndante opozitën me ne”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ndër të tjera, ai ka thënë se qëndrimi i partisë së tij lidhur me dialogun mbetet i qartë dhe i pandryshueshëm e njëherësh, ai thotë se dialogu mbetet interes kombëtar dhe “jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se “është detyrë e kryeministrit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese në përmbylljen e këtij procesi vital për shtetin tonë. LDK do të mbështesë çdo marrëveshje finale që plotëson të tri kriteret e padiskutueshme: respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës; ruajtjen e integritetit territorial të vendit dhe sigurimin e njohjes reciproke”, gjersa ka theksuar se këtë qëndrim do t’ia bëjë të qartë kryeministrit Kurti.
Ai ka falënderuar të dërguarin amerikan për Ballkan, Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë, Hovenier dhe të dërguarin e BE-së, Lajçak për takimet të cilat siç thotë Abdixhiku, i kanë konfirmuar mbështetjen për masat e reciprocitetit.
Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LVV-së, gjersa ka lavdëruar Qeverinë e Kosovës për punët e deritanishme, kryeministri Kurti ka ndarë kohën për të ftuar liderët e partive opozitare për të diskutuar lidhur me takimin në Bruksel për të cilin, ka thënë se do të punojë me të gjithë.
“Ne jemi për dialog me parime. Andaj edhe sot i dërgojë ftesë tre liderëve opozitarë për të folur për takimin e Brukselit. Është e natyrshme të kemi dallime, por jo në interes të Kosovës”, ka thënë Kurti.