Takimet në Bruksel nuk mjaftuan, prandaj, emisarët e BE-së dhe SHBA-së për dialogun, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ishte deshaur që të vizitonin Kosovën dhe Serbinë për t’i bindur dy shtetet që të arrijnë një dakordim.
Vizitat i bindën kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin Aleksandar Vuçiq, që të pajtohen për ta zbatuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, e arritur në vitin 2011.
Megjithatë, akoma Kurti dhe Vuçiq nuk kanë gjetur zgjidhje për një pikë, atë të targave të veturave.
Në lidhje me këtë çështje, Televizioni Dukagjini nuk i janë përgjigjur gjatë ditës nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës.
Analisti Gazmir Raci, ka vlerësuar se Serbia në këtë rast e ka vetëm një zgjidhje.
“Nuk shoh alternativë tjetër përpos dakordimit nga ana e Serbisë përveç se ta zbatojë edhe atë pikë të marrëveshjes e cila ka mbetur e pazbatuar, që i bie që tabelat RKS dhe SRB duhet të mbulohen me ngjitës për një kohë, derisa Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra tjetrën”, ka thënë Gazmir Raci – Analist.
Se marrëveshje për këtë pikë do të arrihet, është optimist edhe profesori Abit Hoxha.
“Sipas të gjitha gjasave, drejtimi i këtyre marrëveshjeve po shkon se të dyja palët po bëjnë kompromise të vogla. Kompromisi i fundit me letërnjoftimet e strukturave paralele në Kosovë, na jep një shenjë se edhe Qeveria e Kosovës edhe Qeveria e Serbisë do të lëshojnë pak pe. Unë shpresoj se targat e komuniteteve etnike në Kosovë nuk do të jenë të veçanta në bazë të etnicitetit. Kjo do të ishte problem”, ka theksuar Abit Hoxha – Profesor.
E pas dokumenteve dhe targave, profesori Arben Fetoshi ka vlerësuar se procesin e dialogut po e pret një temë e nxehtë.
“Unë kam drojën, se menjëherë pas kësaj “humbjeje të Vuqiqit”, i cili arrin të aktroj mirë rolin e viktimës, presioni ndërkombëtar pastaj për një kompromis të radhës do të zhvendoset mbi Prishtinën dhe në këtë kuadër, natyrisht se sfida kryesore e muajve të ardhshëm për Qeverinë e Kosovës do të jetë çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka deklaruar Arben Fetoshi – Profesor.
Takimi i fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar me praninë e liderëve kryesorë të të dy shteteve.