Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri te 1 shtatori, ditë kjo kur në Kosovë fillon viti i ri shkollor.
Por, duket se kësaj here, dyert e shkollave në tërë Kosovën do të hapen vetëm për mësimdhënësit, por jo edhe për nxënësit.
Kjo sepse ky sektor, nuk po planifikon ta ndërpres grevën që nisi me 25 gusht në sektorin publik.
“Greva do të vazhdojë, nëse Qeveria nuk bën as një lëvizje në kërkesat tona, greva do të vazhdojë, nëse kështu vazhdohet dhe ne kemi pritur nëntë muaj që të kemi dialog por ajo s’ka bërë as një reagim, në vend të vajtimeve të ulemi e të flasim”, ka thënë Rrahman Jasharaj nga SBASHK.
Për kërkesat e grevistëve dhe paralajmërimin se ajo vazhdon edhe pas 1 shtatorit, televizioni ka pyetur Ministrinë e Arsimit por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
E për grevistët të hënën foli ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ai ripërsëriti qëndrimin se atyre do t’u ndalen pagat, me arsyetimin e joligjshmërisë së grevës .
“Përderisa e drejta e grevës është e garantuar, praktikat nuk e obligojnë punëdhënësin për aq kohë sa është në grevë, grevistët të paguhen. Këtë shembull e ndjekin edhe shtete e tjera. Sindikata i kompenson për greva. I gjithë stafi që është në grevë nuk do të paguhet, për ditën në grevë i paguan sindikatat. Në pesë vjetët e fundit mbi 3 milionë euro, ka marrë SBAShK në emër të anëtarësisë, ku janë këto mjete”, ka deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati.
Me vendim të BSPK-së, në grevë janë pothuajse të gjitha institucionet publike, që kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Pagat.