“Një mirëseardhje e ngrohtë e një vendi të porsalindur”.
Kështu ishte përshkruar Kosova nga një grua e cila në agjendën e udhëtimeve të saj kishte përfshirë edhe vendin tonë. Eventet muzikore të kësaj gruaje i dhuruan mirëseardhjen edhe grupit nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, “The Moonage”.
Të gjithë mund të kujtojmë të paktën një këngë që kur e dëgjojmë, na lidh gjithmonë me një vend apo një ngjarje.
Vargjet “…I’m serching for redemption”, origjinalisht nga grupi fitues i garës “Eurovision”, “The Maneskin”, por performuar nga “The Moonage” në natën e dytë të Beer Fest, janë padyshim ato që do të kujtohen dhe jo aq sa do të kujtohet grupi në fjalë.
Megjithëse gjëja e parë që më kujtoi grupi në fjalë ishte një këngë e David Bowie, “Moonage Daydream”, një gjë është e sigurt. Tashmë, The Monnage do të jetë “ëndërra e natës së Beer Fest”.
Grupet dhe atmosfera që ato krijojnë janë po aq të ndryshme. Mirëpo, sesi arriti që grupi nga Shkupi të jetë ndër më të përfolurit në Beer Fest, e njëherësh edhe ndër më të kërkuarit në edicionet e ardhshme, Portali Dukagjini ka folur me vetë protagonistët.
“Kemi qenë në kontakt nga fillimi i organizimit me Beerfest Kosova, ku kemi biseduar dhe kemi vendosur që të marrim pjesë në këtë festival shumë të njohur dhe ndër më të mëdhenjtë në Kosovë, ku çdo edicion mbledh mijëra persona në një natë”, ka thënë grupi në fjalë.
Me Jon Bela në vokal dhe ritëm-kitarë, Meriton Tusha kitarist kryesor, Butrint Bela në bas-kitarë, dhe bateristi Korab Hajdari, grupi performoi për 45 minuta.
Ajo çka e karakterizoi grupin në muzikën e tij qe kombinimi i zhanreve, gjë e cila mundësoi që publiku i Beer Fest të gjente argëtimin në secilin zhanër që parapëlqen.
“Aktualisht, Kosova është vendi ku më së shumti kemi pasur përvojë si bend. Dhe padyshim që do të vazhdojë të jetë kështu”.
Megjithëse, dukej sikurse kishin një jetë të tërë së bashku në skenë, “The Moonage” tregon se gjithçka filloi si pjesë e një projekti të një shkolle të rokut.
Pjestarët e grupit thanë se “Bendi ynë filloi si pjesë e një projektit të shkollës së rokut ‘Enterprise’ në Shkup, me producent Valentino Skenderovskin. Që aty filluam të fokusohemi më shumë në këngët tona autoriale”.
Fillimet për bendet lokale karakterizohen të jenë të vështira, ata tregojnë se performanca e tyre e parë e realizuar në Shkup, shërbeu si shtytje për të punuar në projekte të reja. Kjo vjen si rrjedhojë e mikëpritjes së mirë të publikut ndaj këngëve të tyre autoriale.
Se çka i dallon “The Moonage” nga grupet e tjera, protagonistët thojnë se kjo mbetet një pyetje të cilën janë munduar ta deshifrojnë, dhe se arsyeja që ka krijuar mendimin e imazhit unik mund të jetë fakti se që të katërt, janë marrë me muzikë nga mosha e njëjtë dhe janë edhe shokë shumë më përpara sesa të fillonin bendin. Aq shokë, saqë thonë se mund ta kuptojnë njëri-tjetrin nga shikimet përgjatë performancave në skenë, trgojnë protagonistët.
Ndryshe, grupi tregon se përvojat e tyre në evente muzikore kanë filluar që nga shkolla e mesme.
Se nga cilat bende inspirohen, “The Moonage” thotë se për një gjë të tillë vrehen më së miri përgjatë procesit të shkruarjes së këngëve.
“Në vokal mund ta ndëgjojmë inspirimin RnB ose edhe rokut më modern, si shembull Arctic Monkeys, dhe në pjeset e kitares kryesore “ riffs “ dhe “solo“ me kitar vrehet inspirimi i rokut më të vjetër ose edhe më të rënd, hard rock , si shembull Guns n Roses, në bass kitar, gjithashtu, me një stil më RnB që kap vëmendjen me melodi shumë më ndryshe nga të tjerat, dhe këto përmbledhje të inspirimeve dhe stileve rezultojnë për këngë shumë unike”, thotë grupi.
Megjithëse këtë herë “The Moonage” flet në një intervistë për Portalin Dukagjini, vitin e kaluar, bendi kishte bërë një interpretim live për RTV Dukagjini me rastin e prezencës së tyre në “Reload”.
Se ku do ta shohim bendin në të ardhmen, “The Moonage” nuk përcakton një vend apo reputacion. Pjesëtarët e grupit thonë se nuk shohin pengesa për vazhdimin e punës së tyre dhe hapave drejt këngëve autoriale, pa lënë anash as performimet live. Pjesa tjetër, sipas tyre, u mbetet publikut.
Një gjë mbetet e sigurt, Prishtina tashmë është bërë një shtëpi tjetër për “The Moonage” dhe si e tillë, do të presë të dëgjojë prapë nga grupi. Siç thotë kënga “Hide” e grupit, mirëpo me një emër të shtuar nga ana ime…”No matter where I go, Prishtina will find me there”.