Të martën e 30 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me partitë opozitare, LDK dhe AAK, ka thënë se nga 1 shtatori vazhdon fushata për konvertimin e targave në RKS.
“Ndërkaq presim që të zbatohet marrëveshja për letërnjoftimet”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se informacionet që kanë qenë të rëndësishme janë ndarë me opozitën dhe nuk janë mbajtur të fshehura.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se në rast se Serbia nuk e respekton marrëveshjen, atëherë do të vazhdohet situata në mënyrë normale, nëse jo atëherë vazhdon masa e reciprocitetit.
Ndryshe, të martën, është mbajtur takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe dy liderëve opozitarë, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndryshe nga Abdixhiku dhe Haradinaj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nuk e kishte pranuar ftesën e Kurtit për takim të përbashkët, ku pritet të diskutohet për dialogun dhe takimet e fundit në Bruksel.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Ndryshe, kryetari Lumir Abdixhiku ka pranuar ftesën e kryeministrit Kurti megjithëse kishte pritur një proces më transparent dhe njëherësh, më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut.
“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, ka shkruar Abdixhiku.
Një reagim i tillë vie pasi ftesa e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas lajmërimit se do të ftonte liderët opozitarë për të biseduar para takimit të arshsëm në Bruksel, vie me vonesë.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel, në kuadër të dialogut.
Ai ka thënë se për të dhe partinë që ai udhëheq, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake.