Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë përmes një tubacioni të madh, duke thënë se nevojiten riparime. Korporata energjetike ruse Gazprom ka thënë se kufizimet në gazsjellësin “Nord Stream 1” do të zgjasin për tri ditët e ardhshme.
Shteti rus ka hedhur poshtë akuzat për përdorimin e furnizimeve me energji si një mënyrë për të ndëshkuar vendet perëndimore për vendosjen e sanksioneve mbi pushtimin e Ukrainës.
Liderët evropianë kanë frikë se Rusia mund të zgjasë ndërprerjen në një përpjekje për të rritur çmimet e gazit, të cilat tashmë janë rritur me 400%.
Si Rusia po ndërpret gazin për Evropën
Rritja e pjerrët e çmimeve kërcënon të krijojë një krizë të kostos së jetesës gjatë muajve të dimrit. Të martën e 30 gushtit, ministrja franceze e Energjisë, ministrja e Tranzicionit, Agnes Pannier-Runacher, ka akuzuar Rusinë se “përdor gazin si armë lufte”.
Por zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat dhe ka insistuar se sanksionet perëndimore kanë shkaktuar ndërprerjet duke dëmtuar infrastrukturën ruse.
Ai ka thënë se “problemet teknologjike” të shkaktuara nga sanksionet perëndimore janë e vetmja gjë që e pengojnë Rusinë të furnizojë me gaz nëpërmjet tubacionit, pa specifikuar se cilat ishin problemet, raporton BBC.
Gjatë kësaj jave presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen ka premtuar të ndërhyjë në tregjet e energjisë, duke thënë në një konferencë në Slloveni se ato “nuk janë më të përshtatshme për qëllimin”.
“Ne kemi nevojë për një model të ri tregu për energjinë elektrike që me të vërtetë funksionon dhe na kthen në ekuilibër”, ka thënë ajo.