Në protestën kundër dhunimit seksual ndaj vajzave dhe grave, po merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo në një prononcim për Portalin Dukagjini, teksa është shprehur e indinjuar lidhur me rastin e dhunimit seksual ndaj së miturës 11-vjeçare, ka thënë se është obligim i të gjithëve për të punuar më shumë drejt edukimit të djemve dhe vajzave.
Po ashtu, ajo ka thënë se obligim është edhe sigurimi i ambienteve të sigurta për të gjithë.
“Jemi të gjithë të indinjuar ndaj dhunimit që ndodhi ndaj vajzës 11-vjeçare, përtej shprehjes së kësaj proteste është obligim i të gjithë neve që të punojmë shumë për edukimin e djemve dhe vajzave tona dhe për sigurimin e ambienteve të sigurta për të gjithë”, ka thënë ajo.
“Ky është obligim i të gjithëve neve, i mediave, i shkollave, i shoqërisë, i familjes, i organizatave të shoqërisë civile, të gjithë neve që të bëjmë më shumë e më mirë për djemtë e vajzat tona”.
Nagavci teksa ka thënë se siguria e fëmijëve është një nga prioritetet e saj, ka shtuar se ministria e Arsimit ka përgatitur një varg materialesh promovuese që do të shpërndahen sapo të nisë mësimi.
Ne kemi formuar këtë vit forumin nacional për shkollat miqësore dhe siguria e fëmijëve do të jetë dhe është një nga priroitetet tona.
“Kanë të bëjmë me vetëdijësimin, parandalimin e dhunës por edhe me adresimin e rasteve eventuale që ndodhin. Aktivitetet janë të shumëfishta, por është e vërtetë që ka më shumë nevojë për angazhim”, shtoi ajo.
“Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, është parulla kryesore e cila prin protestuesit e mbledhur të mërkurën e 31 gushtit.
Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, vjen si rrjedhojë e raportimeve të shpeshta të dhunimit seksual ndaj vajzave dhe grave, në veçanti, të rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë burra në Prishtinë.
“Boll ma”, “Përdhunuesit në burg”, “Nuk ka dështu nana, ka dështu shteti”, “Bashkohuni kundër dhunës”, “Bashkohuni kundër pedofilisë”, janë disa nga pankartat që protestuesit po i mbajnë në duar.
Zëri i tyre po jehon gjithandej duke bërë thirrje për eliminimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Rrugët e kryeqytetit janë mbushur plot me protestues të cilët shprehen të indinjuar nga rasti i fundit i dhunës seksuale ndaj së miturës.
Nën brohoritjen “Kërkojmë mbrojtje për vajzat dhe gratë”, po kërkohen dënime meritore për të gjithë përdhunuesit e vajzave dhe grave.
Lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona, katër prej tyre u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërkaq të pestit pritet t’i shqiptohet të mërkurën e 31 gushtit.
Protesta kundër dhunimit seksual – “Boll ma”, “Prokuroria i ka duart me gjak”