Dhunimi i 11-vjeçares, caktohet masa e paraburgimit edhe për të dyshuarin e pestë

I është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh edhe të dyshuarit të pestë, i cili bashkë me katër persona të tjerë dyshohet se e kanë dhunuar seksualisht një vajzë 11-vjeçare në Prishtinë

Gjykata Themelore Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarit të pestë, Sh.K., i cili bashkë me katër persona të tjerë dyshohet se e ka dhunuar seksualisht një 11-vjeçare në Prishtinë.

Edhe katër të dyshuarve të tjerë u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.K e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftim.

Rasti pretendohet se nisi në një park të qytetit, ku tre persona fillimisht e ngacmuan me fjalë 11-vjeçaren, e më pas edhe nisën dhunimin ndaj saj.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes. Me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjti do të asgjësojë, do të fshehë, të ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandalojë të njëjtin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, vijon njoftimi.

Aty, siç raporton kallxo.com, atë e kishin ndaluar tre persona të cilët e kishin ngacmuar me fjalë.

“E kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prekë me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas këtij raportimi, të dyshuarit ia kishin hequr rrobat së miturës në park.

Tutje, në të thuhet se “Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht. Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht. Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër”.

Dosja e Prokurorisë më tej, sipas kallxo.com, përshkruan se njëri nga personat e kishte futur 11- vjeçaren në një veturë dhe së bashku me tre persona të tjerë e kishin dërguar atë në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty, viktima sipas dosjes ka dyshime se ishte dhunuar përsëri nga shoferi i veturës.

Gjatë ditës, Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy personave që pretendohet se ishin të përfshirë në këtë rast, vëllezërit E.R dhe G.R, ky i fundit i mitur.

Ndaj tyre rasti është veçuar.

Prokuroria ka dhënë detaje për arrestimin.

“Me urdhër të prokurores kujdestare nga departamenti për të mitur janë ndaluar dy persona, njëri i moshës madhore, në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe një person tjetër i mitur në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak se të njëjtit dyshohet se e kanë kryer veprën penale të dhunimit. Poashtu, ndaj këtyre dy të dyshuarve Prokuroria ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtit kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.

E.R, 27 vjeçar, të cilit iu caktua të hënën masa e paraburgimit, dyshohet të jetë i përfshirë edhe në raste të ngjashme më herët.

Ai në databazën e Policisë dhe Prokurorisë figuron si i dyshuar edhe për shumë vepra të tjera, por nuk është e qartë pse ka qenë i lirë, meqenëse ende nuk është dhënë asnjë detaj tjetër nga organet e drejtësisë.

Pas raportimit të këtij rasti, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar një protestë.

Zëri i protestuesve po vazhdon të dëgjohet pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bërë thirrje për eliminimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Nën brohoritjen “Kërkojmë mbrojtje për vajzat dhe gratë”, po kërkohen dënime meritore për të gjithë përdhunuesit e vajzave dhe grave, ndërkaq kanë hedhur ngjyrë të kuqe në të gjitha insitutcionet e drejtësisë përfshirë edhe objektin e Kuvendit.

“Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, është parulla kryesore e cila i priu protestuesit e mbledhur të mërkurën e 31 gushtit.

“Boll ma”, “Përdhunuesit në burg”, “Nuk ka dështu nana, ka dështu shteti”, “Bashkohuni kundër dhunës”, “Bashkohuni kundër pedofilisë”, janë disa nga pankartat që protestuesit po i mbajnë në duar.

Protestuesit patën tri kërkesa për institucionet.

Kërkuan krijimin e mekanizmave efektivë për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit irritues për vetëmbrojtje.

Ndërkaq, edhe të martën e 30 gushtit,  në Prishtinë në sheshin “Skënderbeu” është mbajtur një protestë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika