Të mërkurën e 31 gushtit, Ministria e Arsimit ka njoftuar se më 1 shtator fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Kosovë.
“Të nderuar qytetarë, në dy vitet e kaluara kemi pasur pengesa të fillojmë me kohë vitin shkollor, si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar në çrregullimin e procesit mësimor dhe ka shkaktuar humbje të konsiderueshme mësimore”, thuhet në njoftim.
Ministria ka thënë se as SBASHK-u dhe askush tjetër, përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk kanë të drejtë të shpallin mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, e as t’i pengojnë të punojnë ata që duan të punojnë.
Sipas njoftimit, edhe ky vit shkollor do të jetë sfidues, për shkak të krizës globale ekonomike dhe asaj të energjisë, të cilat janë jashtë kontrollit të tyre.
Ministria thotë se përkundër faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u.
“Përderisa legjislacioni ynë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre, të cilët nuk janë pjesë e grevës”, thuhet tutje.
Duke marrë parasysh gjendjen në terren, ministria ka ftuar prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar.
Po ashtu është thënë se presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme, ndërkaq spekulimet se me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale. Jemi të bindur se për secilin problem mund të gjindet zgjidhja, por proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë që kanë nevojë për arsim cilësor”.
Ministria iu uron nxënësve një vit shkollor të mbarë dhe me sa më pak çrregullime.
Edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të mërkurën në një konferencë për media ka deklaruar se të enjten e një shtatorit do të nisë viti i ri shkollor, teksa iu bëri thirrje mësimdhënësve që të mos mbajnë grevë.
“Nesër jemi më një shtator kur edhe zyrtarisht fillon viti i ri shkollor. Në lidhje me përgatitjen e fillimit të ri shkollor, tashmë është bërë shpërndarja e teksteve shkollore. Ato tashmë janë të ndara në të gjitha komunat. Kemi pasur takime të drejtpërdrejta me drejtoritë e arsimit, jemi informuar se të gjitha shkollat janë të gatshme dhe janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e procesit mësimor”, është shprehur ajo.
Ndërsa, Rrahman Jasharaj, kryetari i SBAShK-ut, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën e 31 gushtit, ka njoftuar se nesër nuk do të ketë mësim dhe se greva do të vazhdojë.
“Nesër është 1 shtatori dhe po të kishim angazhim të sinqertë të shtetit tonë nesër do të kishim fillim të vitit shkollor”, ka thënë Jasharaj.
Kryetari i SBAShK-ut ka shtuar se, meqenëse mungon dialogu mes Qeverisë dhe mësimdhënësve greva do të vazhdojë, derisa qeveria të fillojë realizimin e kërkesave të tyre.
Jasharaj u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve që t’i mirëkuptojnë, derisa u bëri lutje prindërve që fëmijët nesër të mos i dërgojnë në shkolla.
Jasharaj: Të enjten nuk do të ketë mësim, greva do të vazhdojë