Këshilli i Prindërve të Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës të kryesisë, ka dalë me qëndrim kategorik kundër grevës në arsim.
Nga kjo mbledhje, ky këshill ka dalë me disa konkluzione, një nga të cilat është se është e papranueshme që fëmijët apo nxënësit të mos e fillojnë procesin mësimor në afatin e paraparë, më një shtator.
Përmes një njoftimi, ata kanë thënë se fëmijët “gëzojnë të drejtën kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe Qeveria obligohet ta mbrojë këtë të drejtë”.
Sipas tyre, greva e tërësishme në arsim është veprim ekstrem që i dëmton fëmijët e edhe prindërit.
“Greva e tërësishme dhe e pakufizuar në sistemin arsimor është veprimi më ekstrem sindikal që godet drejtpërdrejt vetëm fëmijët e prindërit”, thuhet në njoftimin e tyre.
Këshilli i Prindërve të Kosovës u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Arsimit, që përmes dialogut t’i zgjidhin problemet.