Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se për shkak të vonesave për përditësimin e listave të punëtorëve që janë paraqitur në punë, ekzekutimi i pagave është bërë në mënyrë të pjesshme.
Ai i ka fajësuar organizatat buxhetore, siç janë komunat dhe disa të nivelit qendror, për këto vonesa.
“Por, meqenëse që përditësimi i tyre nuk është bërë me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur të procesohen pagat e tyre, Në ditën e sotme janë procesuar vetëm organizatat buxhetore që kanë arritur t’i kompletojnë listat e përditësuara”, ka deklaruar Murati.
“Për shkak të vonesave, dhe mosarritjes të bëhen me kohë nga organizatat buxhetore, konkretisht komunat, dhe të tjerat në nivelin qëndror, nuk është arritur të procesohet lista e pagave”, ka vijuar ai.
Murati ka insistuar se ligjet aktuale e lejojnë pezullimin e pagave për grevistët.
“Sipas nenit 18 paragrafit 1, detyrimi i punëdhënësit për ta paguar punëtorin sa është në grevë pezullohet, ne kemi bërë kërkesë nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e tyre, të bëjnë përditësimet me kohë që të respektohet ligji për grevat”, ka thënë ai.
Murati është shprehur se nuk kanë kërkuar nga askush lista të grevistëve, por vetëm lista të zyrtarëve që janë duke punuar.
“Sa u përket listave që është thënë se po kërkohen lista të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqiten nga zyrtarët që ata që janë duke punuar, kush është në vendin e punës të lajmërohet, kemi edhe në qeveri hyrje-dalje, nuk kemi kërkuar listë të grevistëve, sepse listën e SBASHKU-t e kemi. Në thesar janë 25 mijë e 78 persona si anëtarë të SBAShK-ut, të cilët thesari e ndalon kontributin pastaj këto mjete i transferon në SBAShK”, ka deklaruar ai.
Murati ka pretenduar se nga komunat janë informuar që jo të gjithë mësimdhënësit janë në grevë, por sipas tij, një pjesë e tyre janë ende në pushim.
Sipas tij, ka shumë mësimdhënës që janë kundër grevës dhe se më një shtator do të dalin në punë.
“E kemi parë që nga përgjigjet që i kemi marrë nga komunat, por stafi mësimor janë në pushim deri me datën 31 gusht, jemi dëshmitarë që mësimdhënësit kanë dalë në vendin e punës për testin e arritshmërisë. Edhe niveli i lartë ka deklaruar që janë në pushim kolektiv jo në grevë, ka pasur edhe mësimdhënës që janë kundër grevës, e kemi cilësuar si të padrejtë që të shkojmë me ndalesë unifrome, që të gjithë anëtarëve t’i zbritet paga, por kemi dashur të marrim informata nga komunat që të tregojnë për vullnetin e lirë kush merr pjesë në greva kush jo”, ka deklaruar ai.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që me datën një shtator t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.