Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka cilësuar si “shantazh jodemokratik” dhe “akt të shëmtuar politik”, pagesën e pjesshme të zyrtarëve publikë dhe të mësimdhënësve.
“Gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publikë kanë nevojë sot, është ndalesa e pagave të tyre – burimit të vetëm të mbijetesës. Në inflacion rekord, në krizë të paprecedentë terri veror, në investime kapitale minimale – ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
I pari i LDK-së i ka bërë thirrje Qeverisë që të dialogojë me punëtorët e sektorit publik, dhe jo të shfaqë arrogancë.
“E ftoj Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Mësimdhënësit e zyrtarët shtetërorë janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare – në këtë masë – nuk do të durojë gjatë”, vijon postimi i tij.
Të mërkurën gjatë ditës, Minsitri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se punëtorëve të sektorit publik nuk i është procesuar paga e plotë. Fajin për këtë Murati ia ka lënë organizatave buxhetore komunale dhe qendrore, të cilat sipas tij, nuk i kanë dorëzuar me kohë listat e pagave të kërkuara nga ministria.
Murati, ka bërë të ditur se të gjithëve atyre punëtorëve që janë pjesë e grevës, do t’u pezullohet paga për aq ditë sa nuk dalin në punë.