Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një njoftimi ka bërë të ditur se përmes operacionit “Pika 2”, janë vënë në pranga 26 zyrtarë policorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Në njoftim thuhet se operacioni i sotëm ka qenë si pasojë e një hetimi rreth një vjeçar, ku ka pasur hetime në lidhje me dyshimet për përfshirje të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit ‘Pika 2’ ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ ‘marrje e ryshfetit’, thuhet në njoftim.
Sipas IPK-së, për zyrtarët e arrestuar është dhënë rekomandim që të suspendohen nga detyrat e punës.
Po ashtu, në njoftim thuhet se aksionin e së premtes e kanë marrë në koordinim me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë.
Në fund, është paralajmëruar se do të ketë edhe veprime tjera hetimore në lidhje me këtë rast.