Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, të mërkurën gjatë qëndrimit në Austri në margjinat e Forumit Evropian “Alpbach” ka takuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian(BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, nënkryetari i Kuvendit, Hoxhaj ka thënë se marrëveshja për njohjen reciproke është urgjente për Kosovën.
“Darkë dhe diskutime për të ardhmen evropiane, me mikun Miroslav Lajčák! Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë është urgjente për Kosovën, duke qenë qëllimi, strategjia dhe kauza jonë në dialog!”, ka shkruar Hoxhaj.
Ndryshe, të enjten e 18 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian(BE).
Në ndërtesën ku po mbahej takimi, ishin të pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në ndërtesën ku po mbahej takimi ka qenë i pranishëm edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
Pavarësisht takimeve të gjata dypalëshe e trepalëshe, në këtë ditë nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa më 27 gusht Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e kishte dhënë lajmin se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Serbia kishte rënë dakord t’i shfuqizojë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët e Kosovës.