Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, nga pika kufitare në Bërnjak ka bërë të ditur se është ndërprerë lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje nga autoritetet e Serbisë për shtetasit e Kosovës.
“Mund të konfirmoj se kishim një veturë të kolegëve të gazetarëve që kaloi pa problem, është ndërprerë hyrje-dalje nga ana e autoriteteve të Serbisë, po ashtu edhe në Merdar dhe te Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë, ndërsa në Jarinjë ende nuk është ndonjë veturë që ka kaluar”, ka deklaruar Sveçla për RTV Dukagjini.
Ai ka thënë se kjo është lehtësim për shtetasit e Kosovës që kalojnë në Serbi.
“Unë them se me këtë dinamikë do të vazhdojmë edhe në iniciativat e tjera, pa probleme si kjo të kalojë edhe çështja e targave ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka vijuar tutje ai.
Ai ka thënë se situata është e qetë dhe “besoj se do të kalojë pa tensione edhe më tutje”.
Ndërkaq, me datën një shtator, ashtu siç është paraparë, ka filluar zbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë ndërmjet Kosovë dhe Serbisë.
Gazetarët e RTV Dukagjinit, të cilët gjenden të terren, kanë bërë të ditur se qytetarët kanë mundur ta kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, vetëm me letërnjoftim.
Fillon zbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë