Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se realizimi dhe konkretizimi i marrëveshjes për Abetaren e përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë ngjarje historike.
“Realizimi i marrëveshjes së Abetares së përbashkët jam e bindur se do të jetë historike, sepse edhe fëmijët e Shqipërisë ashtu si të Kosovës kudo që ata mësojnë do të kenë të njëjtin tekst unik të abetares, që do të jetë baza për suksesin e tyre në të ardhmen”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka thënë se pa themelet e rilindasve dhe atdhetarëve pasues të tyre nuk do të kishim as gjuhën tonë shqipe, as abetaren dhe as nuk do të flisnim siç po flasim lirshëm tani.
Ndërsa, ajo ka treguar përmbajtjen e abetares në ditët e para në shkollë, ku gjashtë kapituj me nga gjashtë shkronja në një abetare, e cila sipas saj është unike.
Ndërsa, Nagavci ka njoftuar se nga tetori i viti 2022, të gjithë të rinjtë nga Kosova, do të kenë mundësinë të vijojnë mësimet në Universitet e Shqipërisë, apo edhe anasjelltas, pa asnjë problem administrativ.
“Nga vogëlushit e deri tek studentët, nga ky tetor kanë mundësinë që pa asnjë problem të vijojnë mësimet në Universitet e Kosovës apo të Shqipërisë pa asnjë problem e procedurë formale”, ka deklaruar Nagavci.
Sipas saj, kjo marrëveshje është bërë që të lehtësohen të gjitha procedurat, dhe të hiqet çdo kufizim, që çdo e re apo i ri të studiojë pa barriera pa pengesa administrative e burokratike.
Gjithashtu, ajo ka thënë se po punojnë që të investojnë në të mirë të arsimit, së bashku me Qeverinë e Shqipërisë.
Ministrja Kushi: Kjo abetare do të fshijë kufijtë mes dy vendeve
Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, ka thënë se një ndër punët më të bukura që e kanë bërë është përurimi i abetares së përbashkët shqipe.
“Unë jam shumë e nderuar sot që jam këtu mes jush në këtë ditë që do mbahet mend gjatë në kujtesën tonë”, tha Evis Kushi.
Kushi ka shtuar se në nëntor të vitit të kaluar kur kanë filluar punën për abetaren e përbashkët në Elbasan shumë njerëz ishin skeptik dhe nuk besonin se në një kohë të shkurtër do të realizohej kjo nismë.
Minsitrja e Arsimit dhe Sportit e konsideroi si abetare shumë më cilësore që reflekton më së miri zhvillimet arsimore, kulturore, sociale dhe madje edhe digjitale.
Ajo ka shtuar se kur ka bashkëpunim të mirë, vullnet dhe dashuri asgjë nuk është e pamundur sepse sipas saj, kjo abetare do të fshijë kufinjtë mes dy vendeve.
Botues të Abetarës së përbashkët Kosovë-Shqipëri janë shtëpitë botuese, ‘Dukagjini‘ në Kosovë dhe ‘Pegi’ në Shqipëri.