Të enjten e 1 shtatorit, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, sa i përket mosekzekutimit të pagave ka deklaruar se, rruga e vetme për të dalë nga grevat është “bashkëpunimi dhe negocimi”.
Azemi në emisionin “Five” ka thënë se ndalja e pagave të punëtorëve është një skandal.
“I kanë zbatuar të gjitha kërkesat, kanë provuar që të gjejnë një zgjidhje, sindikatës ose i është dashur të dorëzohet ose të shkojë në grevë”, ka thënë Azemi.
Ai ka thënë se për tejkalimin e këtyre grevave, duhet që të ulen të dyja palët dhe të mendojnë me “kokën e ftohtë”.
Ai, po ashtu, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për këto greva masive, sepse sipas tij, nuk ka pasur përfillje të kërkesave të punëtorëve nga e ana e qeverisë.
“Nëse kanë para për serbët të paguajnë rrymën në veri, pse nuk kanë për ne 8 milionë e 300 euro”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se në kohët e kaluara kanë qenë sindikatat dhe përfaqësuesit e këtyre sindikatave që e kanë mbajtur arsimin gjallë.
Azemi: Punëtorët po largohen nga Kosova, sepse nuk u lejohet të kërkojnë të drejtën e tyre
Ai ka thënë se me ligjin që është në fuqi, punëtori ka të drejtë të kërkojë pagën me rritje.
“Nuk duhet të punohet me koka të nxehta, sepse humbës jemi të dyja palët”, ka thënë ai, duke shtuar se vetëm me dialog social mund të gjendet një zgjidhje.
Ai ka thënë se kanë kërkuar me qindra herë takime me kryeministrin Kurti dhe me ministrin Murati për të gjetur një kompromis.
Sipas tij, në këtë vit prej janarit deri në qershor janë larguar mbi 61 mijë punëtorë.
“Kur del ai kërkon të drejtën e vet ligjore dhe e merr një goditje boomerang, sigurisht që largohet” ka shtuar tutje.
Ndër të tjera, ai ka thënë se projektligji i pagës minimale nuk i mbulon gjërat elementare të një personi.