Erolida Tenezhdolli, është bërë gati dhe herët në mëngjes ka shkuar në shkollën “Ismail Qemajli”.
Nxënësja e klasës së shtatë, e dëshpruar tregon se kishte shpresë se do të niste vitin shkollor, ashtu siç ndodh me 1 shtator por në dyer të shkollës gjeti shenjën se mësimdhënësit e saj janë në grevë.
“ Unë jam gëzu shumë që ka ardh 1 shtatori pasi kam pushu shumë. U ndjeva keq pasi komë prit më fillu sot mësimin”, ka thënë nxënësja Erolida Tenezhdolli.
Edhe nxënësit tjerë të kësaj shkolle të Prishtinës shprehen të zhgënjyer për mosnisjen e vitit shkollor.
“E kom prit shumë ditën e sotit pasi s’jem pa moti. Pak keq se s’po ka ma lezet me ardh një shtatori dhe mos më kanë në shkollë”, ka thënë nnënësja Erona Arifi.
“ Komë prit më ia fillu shkollës më të mbarë, keq po nina s’po më pëlqen që po mbahen greva”, ka shtuar nënësja tjetër Dua Mejzini
Heshtja që ka kapluar shkollat në fillimvit, ka prekur edhe mësimdhënësit.
Arsimtari i historisë, Florim Isufi nga shkolla “Hasan Prishtina ”, ka një kërkimfalje veçanërisht për një pjesë të nxënësve, ani se fajin për gjendjen thotë se nuk e mbajnë mësimdhënësit.
“Ma së shumti iu kërkoj falje për këtë gabim të Qeverisë, nxënësve të klasave të para pasi ata kanë prit sot të vinë në shkollë dhe s’do të jenë këtu. Po na kërcënojnë”, ka thënë Isufi.
Qeveria nuk po pranon të paguajë 100 euro shtesë në rrogat e zyrtarëve publikë, përfshirë mësimdhënësve, kërkesë kjo e tyre deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Si pasojë e kësaj, SBASHK-u ka nisur grevë të përgjithshme që nga 25 gushti.