Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq mbrëmjen e së premtes kanë qëndruar së bashku buzë lumit Sava në Beograd.
Vuçiq e ka publikuar një fotografi me Ramën në rrjetin social Instagram, duke thënë se po ndihet krenar për miqësinë që e kanë krijuar me Shqipërinë gjatë viteve të fundit.
“Mbi ujë, krenar për Beogradin dhe miqësinë me Shqipërinë që kemi krijuar gjatë viteve të fundit”, ka shkruar Vuçiq.
Rama është duke qëndruar në Beagorad qe dy ditë, pasi aty po mbahet samiti i radhës i “Ballkanit të Hapur”, e ku priten të firmosen disa marrëveshje mes tre liderëve kryeministrit shqiptar, Ramës, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe Presidentit të Serbisë Vuçiç.
Ndërsa, në samitin e radhës të nismës rajonale “Ballakni i Hapur” në Beograd në Serbi, në fjalimin e tij, Rama ka thënë se zgjidhja e lëvizjes së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë me karta identiteti është zgjidhje e Ballkanit të Hapur.
“Dje mund të kishte qenë një ditë krejt tjetër, dita e djeshme tregoi qartë se cila është zgjidhja e Ballkanit të Hapur”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, nëse Kosova do ishte pjesë e Ballkanit të Hapur, nuk do kishte nevojë për gjithë ato tensione.
“Dje mund të kishte qenë një ditë tjetër, ku mediat tona dhe të Evropës të ishin të mbushura me lajme për atë që ndodh në kufirin në mes të Serbisë dhe Kosovës”.
Gjithashtu, Rama ka deklaruar se “Ballkani i Hapur”, i tejkalon barrierat ekonomike e politike, sipas tij, kjo iniciativë është “një projekt paqeje”.
Iniciativa e “Ballkanit të Hapur”, sipas Ramës do të mundësojë që vendet e Ballkanit, “të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës”.
Ndërkaq, pro “Ballkanit të Hapur”, janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar kishte thënë se nëse kjo iniciativë është e suksesshme, atëherë duhet të jetë e hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që të përfshihen në nivel të njëjtë.
Kundër, kësaj iniciative është ende shteti i Kosovës, kurse pro saj janë Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe së fundmi edhe Mali i Zi.