Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencë për media u ka bërë thirrje sindikatave të shqyrtojnë pakon e re, të cilën e ka prezantuar të shtunën e 3 shtatorit qeveria aktuale.
Në këtë konferencë Osmani ka thënë se Qeveria me anë të kësaj pakoje ka bërë një hap para, ndërsa sipas saj, tashmë radhën e kanë sindikatat.
Sipas presidentes së Kosovës, zgjidhja mund të arrihet vetëm me dialog dhe asnjë politizim s’duhet të lejohet mbi interesin e nxënësve.
“Në secilin vend demokratik ka dialog mes institucioneve publike që menaxhojnë buxhetin e shtetit dhe sindikatave që përfaqësojnë punëtorët. Por, kur një palë bën një hap, pala tjetër duhet të bëjë hapin tjetër. Sot Qeveria ka bërë një hap me pakon e re. Është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë dhe t’i hapin shkollat të hënën”, tha Osmani.
Vjosa Osmani ka shtuar se interesi i fëmijëve është parësor, ndaj mësimi duhet të fillojë menjëherë.
“Këtë përpjekje e kam ndërmarrë me qëllim që t’i inkurajojë të gjitha palët që të përfshihen në një dialog social. Si presidente e çmoj kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin mësimdhënësit”.
Osmani tha mes tjerash se zgjidhja afatgjate do të zgjidhet me Projektligjin e Pagave, i cili sipas saj, trajton dinjitetshëm mësimdhënësit.