Një mësimdhënës në komunën e Gjakovës po pretendohet nga Prokuroria Themelore në këtë qytet, se është përfshirë në një rast të rëndë dhunimi ndaj një të mituri.
Për këtë çështje, Prokuroria e Gjakovës para pak ditësh ka ngritur aktakuzë ndaj mësimdhënësit me inicialet Xh.S.
Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar RTV Dkuagjini, ditën kritike Xh.S e kishte kontaktuar të miturin përmes rrjeteve sociale, duke i kërkuar ndihmë për bartjen e disa drunjëve.
Të dy ishin takuar në një pikë derivatesh.
Aty, sipas aktakuzës, 58 -vjeçari e kishte futur në veturë viktimën, ia kishte mbyllur dyert dhe ishte nisur në drejtim të pjesës së pasme të fabrikës së metalit.
Në këtë vend, i akuzuari kishte provuar të kryente marrëdhënie intime me djalin e mitur, duke i shkaktuar atij dëmtime në organet gjenitale.
“Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet Xh.S, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi. Prokurori i shtetit i ka propozuar Gjykatës kompetente që i pandehuri të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. Gjithashtu, së shpejti do të mbahet edhe seanca fillestare ndaj të akuzuarit”, ka thënë Yllka Juniku Shehu – zëdhënëse e Prokurorisë së Gjakovës.
Seanca për këtë rast do të mbahet më 21 shtator.
Xh.S është një mësimdhënës me përvojë në rajonin e Gjakovës, përderisa prej ditës së arrestimit, ai po qëndron në paraburgim.