Të hënën e pesë shtatorit, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, do ta vizitojnë Luginën e Preshevës.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës e ka publikuar agjendën se ku do të shkojnë dy vartësit e Qeverisë Kurti 2.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi,i shoqëruar nga ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizitojnë Luginën e Preshevës, ditën e hënë, datë 05.09.2022. Më poshtë, agjenda e takimeve në kuadër të kësaj vizite”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës dhe e para e Arsimit në Kosovë do të takohen në orën 10:30 me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Menjëherë pas këtij takimi, Bislimi dhe Nagavci do të takohen në orën 11:15 edhe me përfaqësuesin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin.
Gjithashtu, është paraparë që, në orën 12:00, të takohen edhe me krerët e Komunës së Bujanocit.
Përveç këtyre takimeve, përfaqësuesit nga Kosova, në orën 12:45, do ta vizitojnë edhe shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc dhe një tjetër shkollë do të vizitohet në orën 14:50, e ajo është shkolla fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë.
Sipas ZKM-së, përveç vizitave, është paralajmëruar edhe një drekë pune me liderët politikë të Preshevës, në orën 15:00.
Në orën 17:30, Bislimi dhe Nagavci do të takohen me shoqata, biznese dhe personalitete të shquara.