Kanë vazhduar tensionet në shkollën fillore “Ismail Qemali”, në Prishtinë. Pas tollovisë dhe përleshjes fizike në mes të një prindi dhe mësimdhënësve, për mbajtjen e grevës, debati për këtë gjë ka vazhduar edhe jashtë objektit.
Një qytetar është konfrontuar me një mësimdhënës të kësaj shkolle. Qytetari ka kërkuar që të zhvillohet mësimi normalisht, kurse mësimdhënësi e ka kundërshtuar atë duke i thënë se Sindikata e Arsimit e ka organizimin e tyre.
Më poshtë e gjeni konfrontimin në mes të qytetarit dhe mësimdhënësit:
“Mësimdhënësi: Sindikata është partner social i Qeverisë,
Prindi: Mirë a kështu do të vazhdojë kjo?
Mësimdhënësi: Po deri në realizim të kërkesave tona… jemi duke të respektuar, shko në shtëpi të lutem, me gjyshër nuk komunikojmë.
Prindi: Unë kam të drejtë të shprehem…
Mësimdhënësi: Nuk ke kurrfarë të drejte, të drejtë ke në shtëpinë tënde, këtu mos na pengo, ne e kemi organizimin.
Prindi: Në Maqedoni tre muaj nuk kanë marrë paga”.
Greva në arsim është duke u mbajtur nga data 25 gusht, kërkesë kryesore e sindikatave është ekzekutimi i 100 eurove deri në miratimin e ligjit të ri për paga.